18.6 C
Athens
E enjte, 15 Tetor, 2026

𝐔𝐧ë, 𝐭𝐢, “𝐅𝐥𝐚𝐦𝐢𝐧𝐠𝐨𝐭”, “𝐬𝐭𝐮𝐝𝐞𝐧𝐭ë𝐭”, “𝐩𝐫𝐨𝐭𝐞𝐬𝐭𝐚” 𝐝𝐡𝐞…

Të gjithë po i ndjekim me vëmendje të madhe zhvillimet e muajve të fundit në Shqipëri. Pavarësisht bindjeve politike te gjithsecilit, shumë prej nesh, madje shumë më qytetarë e gjetën veten te një protestë që, për një kohë të gjatë, ishte ndër më paqësoret dhe më këmbëngulëset në historinë e vendit tonë.

Kërkesat e saj të para ishin të qarta, të drejta dhe të kuptueshme. Ishin shqetësime që prej vitesh i dëgjonim në bisedat e përditshme, si nga të majtët ashtu edhe nga të djathtët: “Kështu nuk mund të vazhdohet”, “Kjo situatë nuk është më e pranueshme” etj. Ishin kërkesa që nuk lindën nga urrejtja, por nga lodhja, padrejtësia dhe nevoja për ndryshim.

Por, me kalimin e kohës, qëndrimet, kërkesat dhe strategjia e protestuesve të “Flamingove” ndryshuan. Protesta nisi të zbehej dhe prej saj u tërhoq ajo pjesë e shëndetshme e shoqërisë: qytetarët e zakonshëm, familjarët dhe njerëzit që kërkonin zgjidhje, jo përplasje.

Nga ana tjetër, si pushteti po ashtu edhe e gjithë klasa politika nuk tregoi reflektimin që kërkonte momenti. Pushteti vazhdoi me arrogancën e tij, pa dhënë shenja bindëse se kishte dëgjuar zemërimin e qytetarëve. Opozita, në vend që të mbronte karakterin qytetar dhe demokratik të protestës, shpesh dukej sikur fërkonte duart dhe priste që situata të përkeqësohej për të përfituar politikisht.

Ndërsa sot Tirana po përjeton një nga situatat më të vështira të viteve të fundit. Dje pamë një protestë studentore, edhe pse të tensionuar, por me kërkesa dhe shqetësime të drejta e të ligjshme. Në rrugë ishte rinia, pjesa më e bukur dhe më e gjallë e shoqërisë sonë, e ardhmja e vendit – Shpresa!

Por sot, fatkeqësisht pamja ishte ndryshe. Dukej qartë se nuk kishim më të bënim vetëm me një protestë studentore, por me diçka më të errët dhe më të rrezikshme. Krijohej përshtypja se zemërimi i të rinjve po përdorej nga forca të tjera për të nxitur dhunë, kaos dhe përplasje. Dhe kam frikë se dikush mund të jetë duke kërkuar jo vetëm zjarr e shkatërrim, por edhe një viktimë për ta përdorur politikisht.

Dhe natyrisht të lidin disa pyetje si:
– Kush po luan me ndjenjat e rinisë shqiptare?
– Kush po përpiqet ta shndërrojë të drejtën e protestës në dhunë dhe vandalizëm?
– Kujt i shërben shkatërrimi i pronës publike dhe private?
– Pse disa njerëz këmbëngulin që një protestë e ligjshme të kalojë në kaos dhe anarki?
– Pse figura të caktuara politike përdorin gjuhë që nxit përshkallëzim, djegie dhe përplasje?
– Pse pikërisht në këtë moment kaq të rëndësishëm historik, kur Shqipëria është më pranë se kurrë anëtarësimit në familjen e madhe europiane, forca të errëta përpiqen ta përdorin protestën e ligjshme të studentëve për qëllime të tjera?

Demokracia nuk është heshtja përpara pushtetit, por as dhuna kundër shtetit. Ajo është ekuilibri i vështirë ndërmjet së drejtës së qytetarit për të protestuar dhe detyrimit të institucioneve për ta dëgjuar atë. Kur pushteti nuk dëgjon, zemërimi rritet; kur protesta humbet arsyen dhe kalon në dhunë, humbet edhe të drejtën morale që e solli në rrugë.

Qeveria ka përgjegjësinë të dëgjojë studentët, t’u përgjigjet kërkesave të tyre dhe të mos i trajtojë me arrogancë. Policia ka detyrimin të ruajë rendin, por edhe jetën, dinjitetin dhe të drejtën e protestuesve. Studentët kanë të drejtën të ngrenë zërin, të kërkojnë llogari dhe të mos pranojnë padrejtësinë. Por askush nuk ka të drejtë t’i përdorë ata si mish për top në betejat e veta politike.

Një shtet demokratik nuk trembet nga zëri i rinisë. Ai e dëgjon, e respekton dhe i përgjigjet. Po kështu, një protestë demokratike nuk ka nevojë për gurë, zjarr dhe shkatërrim që të bëhet e fuqishme. Forca e saj qëndron te drejtësia e kërkesave, te pjesëmarrja qytetare dhe te pastërtia morale.

Të rinjtë tanë nuk janë vegla të partive. Ata janë fëmijët tanë, e ardhmja jonë dhe shpresa e Shqipërisë. Nuk duhet t’i lëmë vetëm përballë arrogancës së pushtetit, por as t’ua dorëzojmë zemërimin atyre që kërkojnë kaos dhe viktima.
Sot Shqipëria ka nevojë për qetësi, përgjegjësi dhe dialog të vërtetë. Ka nevojë për një qeveri që dëgjon, një opozitë që nuk spekulon dhe një protestë që nuk e humbet shpirtin e saj qytetar.

Sepse demokracia nuk fitohet duke djegur vendin. Ajo mbrohet duke mos lejuar askënd, as pushtetin, as opozitën dhe as grupet e errët të luajë me jetën, ëndrrat dhe të ardhmen e rinisë shqiptare.

Latest news

Related news