Në tetor të vitit 2025, uragani i kategorisë pesë, Melissa, goditi jugperëndimin e Xhamajkës me erëra që arritën shpejtësinë e jashtëzakonshme prej 185 mph (295 km/h), duke u regjistruar si stuhia më e fuqishme që ka përjetuar ndonjëherë vendi.
Organizata Meteorologjike Botërore e përshkroi këtë ngjarje si “uragani i shekullit” për Xhamajkën, ndërsa Qendra Kombëtare e Uraganeve paralajmëroi për përmbytje katastrofike dhe rrezik të lartë për jetën. Melissa shërben si një paralajmërim i qartë për të gjithë rajonin e Karaibeve: stuhitë tropikale po fuqizohen dhe intensifikohen në mënyrë alarmante, duke rritur rrezikun për humbje njerëzore dhe dëme materiale.
Uragane historikë dhe humbje masive njerëzore
Për të kuptuar fuqinë e Melissa-s, është e nevojshme një vështrim historik mbi disa nga uraganet më shkatërrimtarë dhe vdekjeprurës.
Uragani i Madh i vitit 1780, që goditi Barbados më 9 tetor, mbetet uragani më vdekjeprurës i Atlantikut, me vlerësime që flasin për deri në 27 mijë e 500 viktima. Erëra që mund të kenë arritur mbi 200 mph (322 km/h) dhe valë deri në 7 metra shkatërruan fshatra të tëra dhe zhdukën flotat britanike dhe franceze, duke lënë pas vetëm “baltë, rrënoja, bagëti të vdekura dhe kufoma të kalbura”.
Në Shtetet e Bashkuara, Uragani i Galvestonit i vitit 1900 konsiderohet më i vdekshmi në historinë amerikane, me afro 8 mijë viktima. Një peshkatar mbijetues përshkroi skenën si “më e tmerrshmja që kam parë ndonjëherë”, duke u përballur me trupat e shpërndarë në qytet. Jashtë Atlantikut, stuhitë e njohura si ciklone ose tajfune kanë shkaktuar edhe humbje më të mëdha; Cikloni Bhola i vitit 1970, që goditi Indi dhe atë që tashmë është Bangladeshi, solli përmbytje deri në 10.5 metra dhe shkaktoi deri në 500 mijë viktima.
Dëmet materiale: Katrina dhe Mitch
Ndërsa humbjet njerëzore janë tragjike, dëmi ekonomik tregon një dimension tjetër të fuqisë së uraganeve. Uragani Katrina në 2005 është konsideruar më shkatërrimtar ekonomik në historinë e SHBA-ve, me rreth 300 mijë shtëpi të shkatërruara ose të pabanueshme dhe dëme totale prej 201 miliardë dollarësh. Erëra deri në 225 km/h dhe përmbytje deri në 8.5 metra shkatërruan 80% të New Orleans-it, ndërsa 59 tornado të nxitura nga stuhia përhapën dëme në tetë shtete të tjera.
Pak më herët, Uragani Mitch në 1998 ishte një nga stuhitë më shkatërrimtare të regjistruara në Amerikën Qendrore. Kur goditi Hondurasin, kjo stuhi e kategorisë pesë, e dobësuar në momentin e goditjes, qëndroi mbi vend për një periudhë të gjatë, duke shkaktuar përmbytje katastrofike dhe rrëshqitje masive të dheut. Viktimat u vlerësuan nga 10mijë deri në 19 mijë ndërsa më shumë se gjysmë milioni njerëz humbën strehën. Vetëm në Honduras, 70 mijë shtëpi dhe 92 ura u shkatërruan, me fshatra të tëra të zhytura nga lumenj balte dhe rrëshqitje të mëdha të dheut.
Analiza e Mitch tregon se intensiteti i një uragani nuk është gjithmonë tregues i humbjeve njerëzore, por edhe kohëzgjatja e qëndrimit mbi një zonë, terreni malor dhe infrastruktura e dobët janë faktorë vendimtarë për shkallën e shkatërrimit.
Shpejtësia ekstreme dhe intensifikimi i shpejtë
Edhe pse disa uragane shkaktojnë më shumë viktima apo dëme materiale, stuhitë më të fuqishme nuk janë gjithmonë ato më fatale. Uragani Patricia i vitit 2015, që formoi pranë Meksikës, arriti erëra prej 356 km/h, rekord për Hemisferën Perëndimore, por shkaktoi vetëm dy viktima direkte dhe katër indirekte.
Një trend shqetësues i viteve të fundit është intensifikimi i shpejtë i uraganeve, ku stuhitë kalojnë nga një kategori më e ulët në një kategori më të lartë brenda 24 orësh. Uragani Erin i vitit 2025 u bë uragani i parë i Atlantikut këtë sezon dhe kaloi nga kategoria një në pesë në pak më shumë se 24 orë. Fenomeni është regjistruar gjithashtu tek Hurricane Milton dhe Hurricane Beryl (2024), si dhe Hurricane Lee dhe Jova (2023), duke rritur rrezikun për zonat bregdetare, pasi pak kohë lë për paralajmërime, përgatitje dhe evakuim.
Mesazhi për Karaibet
Uragani Melissa dhe krahasimi me stuhitë historike nxjerrin në pah një realitet shqetësues: fuqia e uraganeve dhe intensiteti i tyre janë në rritje, ndërsa shkatërrimi ekonomik dhe rreziku për jetën mbeten alarmantë. Për Karaibet dhe veçanërisht Xhamajkën, mesazhi është i qartë: planifikimi i hershëm, paralajmërimet dhe forcimi i infrastrukturës janë vendimtare për të zvogëluar humbjet dhe për të përballuar sfidat që stuhitë e shekullit të ardhshëm mund të sjellin.















