Strasburgu, pasqyra ku vettingasit e KPA-KPK-së shohin dështimet e tyre. Gjykata Europiane e Strasburgut cilëson shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga KPA dhe vendimet e Ina Ramës për shkarkimin e gjyqtarit Ervin Metalla, duke rrëzuar vettingun, rikthimin në detyrë dhe dëmshpërblimin për gjyqtarin Metalla. Ish-ministri Manjani: Kongres të mbarë për ligjin, nga 40 mijë çështje pas Reformës u bënë 100 mijë.
Strasburgu, pasqyra ku vettingasit dhe KPA e KPK shohin dështimet e tyre. Gjykata Europiane e Strasburgut cilëson shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut nga KPA ku Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj vendosën shkarkimin e gjyqtarit Metalla
Strasburgu nxjerr zbuluar zinxhirin KPA dhe KPK.Ndaj Reforma në Drejtësi sot është shndërruar në të kundërtën e misionit të saj, ku dinjiteti i drejtësisë shqiptare po nëpërkëmbet me vendime fiktive. Institucionet e reja nga simbol i luftës kundër korrupsionit, u ktheyen në instrument selektiv të pushtetit politik, që vendosi kë të ndëshkojë dhe kë të mbrojë sipas përkatësisë me lista selektive.Stoku i dosjeve nuk po njeh zbritje. Këto dosje nuk janë thjesht statistika, por halle kontrete, ku shqiptarwt presin drejtësi për pronën, për dëmshpërblimet, drejtësi ndaj fatkeqësive që mund t’u kenë ndodhur gjatë jetës atyre apo të afërmve.Drejtësia e vonuar është drejtësi e mohuar! Pasi vunë dorë dhe eksperimentuan me sistemin e drejtësisë, duke importuar Reformën me bekimin e Soros.
Rrëzohet vettingu, gjyqtari Ervin Metalla fiton në Strasburg rikthehet në detyrë
Ish-gjyqtari Ervin Metalla ka siguruar një fitore të rëndësishme në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, e cila ka vlerësuar se shkarkimi i tij nga sistemi i drejtësisë ka qenë joproporcional, duke konstatuar shkelje të nenit 8 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.Vendimi i tij i largimit ishte marrë nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ku trupa gjykuese e përbërë nga Albana Shtylla, Rezarta Schuetz, Ardian Hajdari, Ina Rama dhe Natasha Mulaj vendosi shkarkimin për shkak të problemeve me pasurinë.Megjithatë, vendimi i Strasburgut ka hapur një debat të ri: a mund të rikthehet Metalla në sistem? Një precedent i ngjashëm është ai i Antoneta Sevdarit, e cila pas një beteje ligjore në Strasburg arriti të rikthehej në detyrë pas disa vitesh.Si pasojë, shteti shqiptar është detyruar të kompensojë Metallën me 20,400 euro për dëme materiale, 6,000 euro për dëme jomateriale dhe 6,000 euro për shpenzime gjyqësore. Vendimi hap gjithashtu rrugën për rishqyrtimin e çështjes dhe rikthimin e tij në sistemin e drejtësisë.
Si nisi gjithçka
Sipas Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, hetimi administrativ ndaj Metallës zbuloi një seri veprimesh financiare të dyshuara si fiktive, të lidhura me përfitimin e një kredie të butë të financuar nga shteti.Relatorja Xhensila Pine raportoi se Metalla kishte blerë në vitin 2007 një apartament dhe një garazh në Tiranë, për të cilat kishte paguar këstet për disa vite. Në vitin 2011, ai transferoi kredinë dhe pronësinë te i vëllai, ndërkohë që vijonte të jetonte vetë në banesë.
Sipas KPK-së, ky veprim dyshohej se ishte bërë për të përfituar një kredi tjetër me kushte lehtësuese nga banka BKT, kredi që nuk mund ta merrte nëse rezultonte se kishte tashmë një banesë dhe një kredi ekzistuese.Një tjetër element problematik ishte fakti që kredia e butë u disbursua për një apartament në Durrës, përmes një kompanie ndërtimi, ndërsa më pas një shumë prej 4.9 milionë lekësh u rikthye në llogarinë bankare të babait të tij. Kjo shumë, sipas KPK-së, nuk ishte deklaruar.
Ylli Manjani : Kongres të mbarë…!Ishte sistemi me 40 mijë çështje në pritje dhe, pas reformës u bë me 100 mijë
Te ky Kongresi Botëror i Ligjit, besoj ne do prezantojmë arritjet e reformës me famë botërore të drejtësisë.
Rezultate të tilla si:
- Ishte sistemi me 40 000 çështje në pritje dhe, pas reformës u bë me 100 000.
- Marrja e një date gjyqi ishte me maksimumi 2 muaj vonesë, sot pas reformës e merr me 6 deri në 8 muaj nga seanca ku je.
- Heqja nga puna e gjykatësve e prokurorëve pa hesap e kriter, me procese degjenerimi publik dhe nga një trupë e përzgjedhur kasapësh. U hoqën edhe ata që dhanë dënime me burgim të përjetshëm në emër të kësaj Republike që nuk mbron dot punonjësit e vet.
- Agresionin ekstrem të drejtësisë penale ndaj lirisë së individit, dinjitetit, zotësisë e pasurisë së tij. Duhet ta prezantojmë modelin tonë të reformës, me moton se pa luftë klasash dhe po nuk u kënaq turma nuk ka drejtësi. Madje drejtësia e vërtetë bëhet nga gazetarët e burimeve, jo nga gjykatësit në sallë gjyqi.
- Shndërrimi i arrestit me burg si masë ndëshkimi dhe dënimi faktik pa prova e pa proçes. Gjykata jonë penale e reformuar tashmë njeh dhe zbaton vetëm arrestin me burg. Mirë është që këtë pikë ta shoqërojnë me videon e arrestit të Presidentit Meta.
- Drejtësia jonë penale e reformuar mund të fillojë proçedim penal edhe pa fakt apo ngjarje penale. Mjafton një përgjim, bisedë, apo denoncim inatçorësh apo anonimësh. Çështjet fillohen edhe për veprime e vendime që janë të ligjshme, mjafton një thashethem.
- Gjykatësit e prokurorët e Republikës kanë dëshirë të varen nga ambasadorë të huaj, dhe jo nha Republika ku shërbejnë e paguhen. Duhet të prezantojmë edhe përvojën se si ja fut shqiptari shqiptarit për llogari të një shteti tjetër.
- Sallat e gjyqeve janë si kafazë me blinda brenda, ku jo transparencë që nuk bëhet, po as garancitë e barazisë në proçes nuk sigurohen. I pandehuri në gjykim prezumohet shtazë, jo njeri me dinjitet e të drejta. Besoj se do jetë eksperiencë unike për t’u ndarë me botën ligjore fakti se gjykata nuk del dot as mbi Drejtorinë e Burgjeve… Edhe për këtë arritje ka pamje filmike pa fund.. Mund të organizohen edhe vizita në hotelin me 5 yje GJKKO.
- Ndryshimi i Kushtetutës e ligjeve në këtë vënd është bërë si zinxhiri i pantallonave, që hapet e mbyllet disa herë në ditë. Besoj është unik edhe fakti se ne kemi një Kushtetutë ku në tekstin e saj gjenden fjalët korrupsion dhe krim i organizuar.
- Ngritja e strukturave të posaçme/speciale, është bërë në mënyrë të përhershme. Të ngrira në Kushtetutë madje. I duhet prezantuar botës ligjore ideja se modeli i gjykatës së Nürembergut, mund të funksionojë përjetësisht. Duhet ta prezantojmë kryearritjen ligjore ku shteti i masave të posaçme e ka zëvendësuar shtetin normativ.
- Si ndarja e pushteteve shuhet, kur zhduken ballancat ndërmjet tyre. Duhet ti spjegojmë me durim botës ligjore se si e kemi ndryshuar organizimin kushtetutues të pushteteve, ku asnjëri pushtet nuk lidhet gjëkundi me tjetrin. Duhet t’u themi se si kemi bërë jo një Republikë me 3 pushtete por tre Republika nën një pushtet.
- Ashpërsimi i ligjeve nuk parandalon asnjë fenomen kriminal. Duhet t’u themi botës ligjore se sa më shumë ashpërsojmë ligjet e korrupsionit aq më shumë na shtohet korrupsioni. Njësoj edhe për trafikun rrugor, mbajtjen e armëve e madje edhe vrasjet.
T’ua themi botës ligjore mbarë këto gjëra se janë interesante.
Ja, me kaq gjëra them ta njohim kongresin e botës së ligjeve, se me më shumë arritje kam frikë se ngarkohen… Mbase edhe bota mëson nga ne të ecë në rrugë të pashkelura…
DOSJET PIRG , QYTETARËT PA DREJTËSI
16,500 dosje në pritje të gjykimit në Gjykatën e Lartë, 75% janë çështje civile
Gjykata e Lartë vijon të ketë një numër të madh stoku dosjesh të pagjykuara, megjithatë jo të gjitha çështjet konsiderohen automatikisht si të prapambetura.Sipas të dhënave nga institucioni, në fund të vitit 2025, numri total i çështjeve të mbartura arrin në 16,498, nga të cilat 4,416 janë çështje administrative, 11,606 civile dhe 476 penale.Brenda këtij stoku, çështjet e prapambetura dominohen nga natyra civile me 75%, ndjekur nga ato administrative me 24% dhe penale me vetëm 1%. Peshën më të madhe vijojnë ta mbajnë çështjet e regjistruara në vitin 2019, ndërsa dosjet me vite më të hershme regjistrimi po reduktohen gradualisht.Të dhëna e vitit 2024, numëronin gjithsej 20,827 çështje të mbartura në pritje për gjykim, nga të cilat 5914 çështje administrative, 13,230 çështje civile dhe 1683 çështje penale.
Megjithëse trendi është në rënie, me ulje progresive të backlog-ut prej 12% në vitin 2022, 18% në 2023 dhe 20% në 2024, situata mbetet larg normalizimit. Ulja e viteve të fundit nuk ka arritur të kompensojë rritjen e fortë të çështjeve në periudhën 2019–2021, duke bërë që sistemi të vijojë të mbajë një stok të lartë dosjesh të akumuluara.Problemi nuk lidhet vetëm me volumin, por edhe me faktorët që e ushqejnë këtë stok. Një ndër arsyet kryesore mbetet kapaciteti i kufizuar njerëzor. Gjykata ka operuar me numër të reduktuar gjyqtarësh dhe me vakanca të paplotësuara, ndërkohë që një pjesë e trupës nuk ka qenë plotësisht aktive për shkak të emërimeve në institucione të tjera apo problemeve shëndetësore. Kjo situatë ka rritur ndjeshëm ngarkesën individuale dhe ka ndikuar drejtpërdrejt në ritmin e shqyrtimit të çështjeve.Kjo gjë reflektohet edhe në performancën vjetore. Në vitin 2025, Gjykata e Lartë ka gjykuar 10% më pak çështje se në vitin 2024 dhe 13% më pak se në vitin 2023. Nga ana e strukturës së ngarkesës, çështjet administrative zënë 36% të totalit të shqyrtuar, çështjet civile 35%, ndërsa ato penale 29%.Megjithatë, një faktor tjetër që ndikon në ngarkesën e gjykatës është cilësia e rekurseve.
47 mijë dosje pirg në Gjykatat e Apelit, në pritje të shqyrtimit
46,888 dosje janë peng i rafteve të gjykatave e apelit në pritje të drejtësisë dhe sistemi nuk ofron një zgjidhje dhe perspektivë të qartë përfundimi.Këto shifra janë pjesë e raportit vjetor të Këshillit të Lartë Gjyqësor. Dhe kjo e dhënë u takon vetëm dosjeve që gjykatat kanë inventarizuar, pasi të tjera mund të jenë akoma nëpër sirtarë të plurosur.Pasi shifrat nuk përfshijnë gjykatat e shkallëve të para.“Gjykatat kanë vijuar procesin e inventarizimit të çështjeve të prapambetura. Deri në këtë fazë, në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm janë inventarizuar 27,444 çështje, ndërsa në Gjykatën Administrative të Apelit janë inventarizuar 19,444 çështje. Procesi i inventarizimit vijon edhe në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë dhe në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë Tiranë, me synimin për të arritur deri në dhjetor 2026 objektivat përkatëse prej 38,000, 23,000, 20,000 dhe 8,000 çështjesh të inventarizuara”-thuhet në raportin e KLGJ.Në funksion të përshpejtimit të shqyrtimit dhe reduktimit të stokut, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe Gjykata Administrative e Apelit kanë miratuar vendime për krijimin e listave të grup-çështjeve prioritare, të cilat u janë përcjellë gjyqtarëve relatorë për shqyrtim me përparësi.
Prokurorët “të mbytur” nga çështjet, mbi 66 mijë kallëzime në 2025 për vetëm 235 prokurorë
Ngarkesa e punës në sistemin e prokurorisë në Shqipëri është rritur ndjeshëm gjatë vitit 2025, ndërkohë që mungesa e burimeve njerëzore vijon të mbetet një nga sfidat kryesore për funksionimin efektiv të tij. Kjo evidentohet në raportin vjetor të publikuar nga Prokuroria e Përgjithshme për vitin 2025, ku vihet në dukje një rritje e volumit të çështjeve dhe një diferencë e theksuar mes organikës së miratuar dhe numrit real të prokurorëve në detyrë.Sipas raportit, gjatë vitit 2025 janë trajtuar gjithsej 66,333 materiale kallëzuese, duke shënuar një rritje prej 8.5% krahasuar me vitin 2024. Në total janë ndjekur 50,058 procedime penale, me një rritje prej 5%, ndërsa vetëm procedimet e reja të regjistruara kanë arritur në 27,049 raste, ose 8.5% më shumë se një vit më parë. Ndërkohë, janë mbartur 22,825 procedime dhe janë vendosur mosfillime për 16,275 raste, kjo e fundit me një rritje të fortë prej 19.7%, çka tregon edhe një filtër më të madh në trajtimin e kallëzimeve.Pesha më e madhe e ngarkesës bie mbi prokuroritë pranë gjykatave të shkallës së parë, ku vetëm në Tiranë janë trajtuar 26,581 çështje gjatë vitit, duke e bërë atë prokurorinë me volumin më të lartë në vend. Pas saj renditen Durrësi me 6,435 çështje, Korça me 4,862, Vlora me 4,506 dhe Fieri me 4,505 çështje. Në krahun tjetër, prokuroritë me ngarkesën më të ulët rezultojnë Kukësi, Dibra dhe Gjirokastra.Megjithatë, rritja e volumit nuk është shoqëruar me rritje proporcionale të kapaciteteve njerëzore. Nga 321 prokurorë të miratuar në organikë për juridiksionin e përgjithshëm, në fakt kanë qenë në detyrë vetëm 204 në prokuroritë e shkallës së parë, 10 në apel dhe 11 në Prokurorinë e Përgjithshme. Kjo diferencë ka sjellë një rritje të ndjeshme të ngarkesës për çdo prokuror. Në disa raste, sipas të dhënave të raportit, mesatarja e çështjeve për prokuror arrin nivele shumë të larta, ndërsa në Prokurorinë e Apelit në Tiranë ngarkesa mesatare ka arritur në 487 çështje për prokuror.
Vetingu në provën e Strasburgut: një analizë etike, ligjore dhe kushtetuese
Nga Artur Mamadhaj Klosi
Ekspert i Auditimit Financiar Global
Vendimet e fundit të Gjykatës së Strasburgut lidhur me procesin e rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Shqipëri nuk janë thjesht episode individuale. Ato përbëjnë një test të drejtpërdrejtë për cilësinë e shtetit të së drejtës dhe për mënyrën se si një reformë e konceptuar si historike është zbatuar në praktikë. Ky debat nuk duhet trajtuar me retorikë politike, por me analizë të ftohtë në tre plane thelbësore: etik, ligjor dhe kushtetues.
Dimensioni etik: drejtësi selektive apo standard universal?
Në themel të çdo procesi rivlerësimi qëndron një parim i panegociueshëm: barazia para ligjit. Nëse individë në kushte të njëjta trajtohen ndryshe, atëherë nuk kemi më drejtësi, por administrim selektiv të saj. Problemi etik i Vetingut në Shqipëri lidhet pikërisht me perceptimin dhe në disa raste konstatimin e standardeve të dyfishta, tolerimit të pasurive të pajustifikuara për disa subjekte, dhe ndëshkimit disproporcional për të tjerë. Etika e drejtësisë nuk matet me numrin e të shkarkuarve, por me koherencën morale të vendimmarrjes. Një proces që perceptohet si selektiv humbet legjitimitetin publik, pavarësisht qëllimit fillestar.Dimensioni ligjor: proporcionaliteti si standard themelor Vendimet e Strasburgut kanë theksuar një element kyç: parimin e proporcionalitetit.Në thelb, çdo masë disiplinore duhet të kalojë tre filtra: 1. A ekziston një shkelje reale? 2. A është masa e nevojshme? 3. A është masa proporcionale me shkeljen? Në rastet ku është konstatuar shkelje e nenit 8 (jeta private dhe profesionale), problemi nuk ka qenë ekzistenca e kontrollit, por ashpërsia dhe justifikimi i masës ekstreme – shkarkimi. Kjo tregon se: procesi nuk ka qenë gjithmonë i mbështetur në një analizë të thelluar të rrethanave individuale, – arsyetimi juridik ka qenë në disa raste formal dhe jo substancial. Në terma auditimi, kemi të bëjmë me dështim të kontrollit të cilësisë së vendimmarrjes.
Dimensioni kushtetues: balanca mes reformës dhe të drejtave themelore
Reforma në drejtësi dhe Vetingu u ndërtuan mbi një premisë të fortë kushtetuese: pastrimin e sistemit nga korrupsioni dhe rikthimin e besimit publik. Por çdo reformë, sado e nevojshme, nuk mund të qëndrojë mbi: – cenimin e të drejtave themelore, – dobësimin e sigurisë juridike, – apo arbitraritetin institucional. Parimi kushtetues është i qartë: qëllimi nuk justifikon mjetin, nëse mjeti cenon të drejtat themelore. Vendimet e Strasburgut tregojnë se në disa raste: – balanca midis interesit publik dhe të drejtave individuale është prishur, – dhe kjo krijon precedent të rrezikshëm për të ardhmen e drejtësisë.
Çfarë nënkuptojnë këto zhvillime?
Këto vendime nuk përbëjnë rrëzim të reformës në drejtësi, por: – një korrigjim të fortë të mënyrës së zbatimit, – një thirrje për rishikim të standardeve, – dhe një alarm për institucionet shqiptare. Nëse nuk reflektohet: – rrezikohet delegjitimimi i gjithë procesit, – dhe kthimi i reformës nga instrument drejtësie në instrument kontrolli.
Rruga përpara: nga retorika te standardi
Në vend të polarizimit politik, kërkohet një qasje profesionale: – standardizim i praktikës vendimmarrëse, – forcim i analizës së proporcionalitetit, – auditim i pavarur i vendimeve të Vetingut, – dhe transparencë e plotë mbi kriteret e përdorura. Vetëm kështu mund të rikthehet: – besimi publik, – integriteti institucional, – dhe funksioni real i reformës.
Përfundim Vetingu ishte dhe mbetet një ndërhyrje e jashtëzakonshme në sistemin e drejtësisë. Por çdo ndërhyrje e tillë matet jo vetëm nga qëllimi, por nga drejtësia e zbatimit. Strasburgu nuk ka rrëzuar reformën. Ai ka bërë diçka më të rëndësishme: ka vendosur kufirin mes drejtësisë dhe arbitraritetit. Dhe pikërisht në këtë kufi do të përcaktohet e ardhmja e shtetit të së drejtës në Shqipëri.












