30.2 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Nga emigrant në hero: Sokoli shqiptari që u fut mes flakëve për të shpëtuar shtëpitë e grekëve në Psatha – “E gjithë jeta më kaloi para syve”

“E gjithë jeta më kaloi para syve” – historia emocionuese e shqiptarit që, së bashku me miqtë e tij grekë, u përball me flakët për të mbrojtur shtëpitë në Psatha të Alepohorit.

Në shqip, emri Sokol do të thotë “skifter”. Dhe gjatë zjarrit të madh që përfshiu Ano Psathën e Alepohorit më 3 gusht, Sokol, së bashku me Andreasin, Arin dhe Aleksandron, u bënë katër prej njerëzve që qëndruan përballë flakëve në një moment kur gjithçka dukej se po shkatërrohej.

Kur era ndryshoi papritur drejtim dhe zjarri nisi të zbriste nga zonat pyjore dhe ullishtet drejt banesave, katër miqtë morën një vendim tejet të rrezikshëm: u kthyen aty ku rreziku ishte më i madh.
Banorët po largoheshin pas urdhrit për evakuim, por ata vendosën të kthehen për të tentuar të shpëtonin sa më shumë shtëpi.

U kthyen kur flakët iu afruan banesave

Forcat zjarrfikëse po zhvillonin betejën e tyre me frontin e zjarrit. Por mes tymit të dendur dhe flakëve ndodheshin edhe katër banorët, me zorrët e ujit në duar dhe duke përdorur çdo mjet që kishin në dispozicion.

Policët u kishin kërkuar të largoheshin dhe fillimisht ata iu bindën, duke u drejtuar drejt bregdetit. Por kur panë flakët që po afroheshin rrezikshëm te shtëpitë, vendosën të kthehen.

Ata e dinin se ajo që po bënin ishte jashtëzakonisht e rrezikshme.
Nuk kishin pajisje profesionale, nuk mbanin veshje mbrojtëse dhe nuk kishin përvojë në përballimin e një zjarri të përmasave të tilla.
Maskat që kishin me vete nuk rezistuan për shumë kohë. Shpejt u detyruan t’i hiqnin dhe vazhduan përpjekjen mes temperaturave ekstreme dhe tymit mbytës.

Pavarësisht rrezikut, katër miqtë vazhduan të luftonin, jo vetëm për pronat e tyre, por për shtëpitë e gjithë lagjes.

“Ishim të vendosur të mos digjej asnjë shtëpi”

Aleksandri pranoi se asnjëri prej tyre nuk kishte përvojë me një zjarr të tillë.

“Jo. Nuk jemi as vullnetarë, asgjë. Asnjëherë nuk na kishte ndodhur të përballeshim me një zjarr kaq të madh. Ishim të vendosur dhe të betuar që të mos na digjej asnjë shtëpi. Nëse nuk do të kishim qëndruar, do të ishin djegur shumë shtëpi”, tha ai.

Pas orëve të përballjes me flakët, Sokoli u rrëzua nga lodhja. Hoqi këpucët dhe u shtri në tokë, dukshëm i tronditur nga ajo që sapo kishte përjetuar.

I sugjeruan të kërkonte ndihmë mjekësore, por ai refuzoi.
Më pas, i emocionuar, nisi të flasë për jetën e tij dhe vitet e para në Greqi.

“E gjithë jeta më kaloi para syve”

“Shoku im… E gjithë jeta më kaloi para syve. Nuk u frikësova se do të vdisja. Nuk qaj nga frika, por sepse kujtova ditët e para kur erdha në Greqi, para 30 vitesh. Ishim të lodhur dhe të uritur. Në fillim vendasit nuk na donin. Na dëbonin.

Sot, bashkë me miqtë e mi, Andreasin, Arin dhe Aleksandrin, luftuam si një ekip për të shpëtuar shtëpitë e fshatit. Diçka bëmë. Aq sa mundëm. Disa shtëpi i shpëtuam, disa u dogjën. Çfarë të thuash… Falë Zotit. Ndjej dhimbje për gjithçka që ka ndodhur. Mund ta kishim shmangur.”

Tridhjetë vjet pas mbërritjes së tij në Greqi, njeriu që kujton se dikur ishte ndier i padëshiruar, u gjend duke luftuar krah për krah me miqtë e tij për të mbrojtur shtëpitë e vendit ku tashmë jeton.

“Pyelli është shtëpia jonë e parë”

Sokoli tregoi se nuk kishte parë kurrë më parë një zjarr të tillë dhe foli për lidhjen e banorëve me pyllin që rrethon zonën.

“Për herë të parë pashë një zjarr kaq të madh. Nuk u frikësova. E ndiqnim dhe e vëzhgonim prej dy ditësh. Pylli është shtëpia jonë e parë. Pastaj ndërtuam gjithçka tjetër. Shpresoj të mos ndodhë më një e keqe e tillë dhe njerëzit të rindërtojnë shpejt shtëpitë që u dëmtuan.”

Historia e Sokolit, Andreasit, Arit dhe Aleksandrit është një nga historitë njerëzore që la pas zjarri shkatërrues në Psatha.

Katër njerëz pa pajisje speciale, pa përvojë profesionale dhe pa asnjë detyrim për ta bërë këtë, zgjodhën të përballeshin me flakët dhe të luftonin për lagjen e tyre.

Për Sokolin, ato orë bashkuan në mënyrë të pazakontë dy momente krejt të ndryshme të jetës së tij: kohën kur mbërriti në Greqi i lodhur dhe i uritur dhe momentin, tre dekada më vonë, kur u fut mes flakëve për të shpëtuar shtëpitë e vendit që tashmë e konsideron të tijin.

Një histori emigranti që u kthye në histori humanizmi, miqësie dhe solidariteti./Ta Nea

Latest news

Related news