Nga LINDITA KULLA
Për shumicën e njerëzve, vera është sinonim i pushimeve, çlodhjes dhe kohës së kaluar me familjen. Janë ditët që priten me padurim gjatë gjithë vitit, ditët kur më në fund mbyllen valixhet dhe nisin kujtimet. Por për ne, emigrantët, vera shpesh sjell edhe një realitet tjetër. Një realitet për të cilin flitet pak, por që e jetojnë mijëra familje shqiptare në diasporë.
Paradoksalisht, pushimet ,ato ditë që duhej të na bashkonin ,shpesh bëhen periudha kur shumë çifte dhe familje ndahen. Arsyet janë të shumta. Jo gjithmonë bashkëshortët marrin leje në të njëjtën periudhë. Shpesh secili zgjedh të shkojë në qytetin e tij, pranë prindërve të tij, për të përqafuar nënën, babanë, vëllezërit, motrat dhe të afërmit që nuk i ka parë prej muajsh, ndonjëherë edhe prej vitesh. Dhe kështu ndodh paradoksi më i madh i emigracionit.
Ditët e vetme të vitit që mund të ishin vetëm për familjen që kemi krijuar, ndahen për të plotësuar mungesat e familjes që kemi lënë pas. Nuk është egoizëm. Nuk është mungesë dashurie ndaj partnerit. Është pesha e emigracionit, që të detyron ta ndash zemrën mes dy botëve. Njëra është vendi ku ke ndërtuar jetën, tjetra mbetet përgjithmonë vendi ku janë rrënjët e tua.
Është një sakrificë e heshtur, që nuk shihet në fotografitë e bukura të verës. Askush nuk e sheh mallin e atij bashkëshorti që këtë verë fle vetëm, ndërsa tjetri ndodhet qindra kilometra larg.
Askush nuk e sheh prindin që numëron ditët derisa t’i vijë radha për një përqafim, apo fëmijën që pyet pse edhe këtë verë nuk janë të gjithë bashkë.
Emigracioni nuk na merr vetëm vitet, festat apo ditëlindjet. Ndonjëherë na merr edhe pushimet. Na vendos përballë një zgjedhjeje që askush nuk do të donte ta bënte: të jesh pranë prindërve që të mungojnë apo pranë familjes që ke ndërtuar.
Dhe e vërteta është se në këtë zgjedhje nuk ka fitues. Ka vetëm njerëz që përpiqen të mos lëndojnë askënd, ndërsa mbajnë mbi supe peshën e mallit dhe të detyrimit. Ndoshta është koha të flasim më shumë edhe për këto plagë të heshtura të emigracionit. Sepse emigrimi nuk është vetëm puna, dokumentet apo sfidat ekonomike. Është edhe mungesa e kohës për të qenë pranë të gjithë atyre që duam. Dhe ndoshta pyetja që duhet t’i bëjmë vetes nuk është se ku do t’i kalojmë pushimet këtë verë.
Por nëse emigracioni na ka mësuar të jetojmë me mungesën aq gjatë, sa kemi filluar ta quajmë normale edhe ndarjen në ditët që duhej të ishin më të bukurat e vitit. Malli nuk merr kurrë pushime.












