Nga Lindita Kulla
“Fole në standard.”
Unë jam rrit në Tironë dhe gjithmonë kam fol si në shpi, si në rrugë, si me njerëzit e mi. Nuk e kam mendu kurrë që mënyra si flas mund të jetë problem… derisa dikush më tha: “Fole pak ma standard.” Sa herë e kemi dëgjuar këtë fjali? Sa herë na është thënë sikur mënyra si flasim është diçka që duhet korrigjuar, zbutur, fshehur?
Një vajzë nga Tirana flet tironc. Një djalë nga Shkodra flet gegnisht. Një tjetër nga Korça, nga Saranda, nga Vlora,secili me ngjyrën e vet në zë. Por sapo hap gojën në një hapësirë publike, vjen kërkesa: “Fole standard.”
Po pse?
Pse dialekti i një jugori shpesh pranohet si i ëmbël, ndërsa ai i një tironci apo gegë shihet si i gabuar apo i papërshtatshëm? Pse disa mënyra të të folurit duhen ruajtur si folklor, ndërsa të tjerat duhen zhdukur si defekt?
Gjuha standarde është e rëndësishme. Na bashkon, na jep një bazë të përbashkët. Por ajo nuk duhet të bëhet kufizim i zërit tonë. Dialekti nuk është mungesë kulture. Është histori. Është identitet. Është familja që të ka mësuar të flasësh. Është qyteti që të ka rritur.
Kur i themi dikujt “mos fol kështu”, në fakt po i themi: “Mos ji si je.” Dhe kjo është më shumë se gjuhë. Është përjashtim. Në një shoqëri që pretendon të jetë moderne, pse kemi ende frikë nga dallimet? Pse duhet të tingëllojmë të gjithë njësoj që të na marrin seriozisht?
Liria e shprehjes nuk është vetëm çfarë thua. Është edhe si e thua. Le të mësojmë të dëgjojmë njëri-tjetrin pa korrigjuar çdo fjalë. Le të pranojmë që gjuha jonë ka shumë zëra,dhe secili prej tyre ka vlerë. Nje gjuhë pa dialekte është një gjuhë pa shpirt.












