19.1 C
Athens
E premte, 10 Prill, 2026

SHQIPËRIA NUK PO EMIGRON MË – PO FSHIHET NGA HARTA E VET

Nga S.BARKAJ – Avokat/

48 mijë shqiptarë morën shtetësi të BE-së vetëm në vitin 2024 — një shifër që nuk flet për sukses integrimi, por për dështimin historik të shtetit shqiptar për të mbajtur njerëzit e vet

Nuk ka më vend për zbukurime, as për fjalë të buta.

Kur 48 mijë shqiptarë marrin shtetësi të vendeve të Bashkimit Europian brenda një viti, nuk kemi të bëjmë me një statistikë rutinë, por me një aktakuzë të pastër ndaj Shqipërisë së sotme.

Kjo nuk është thjesht ikje. Kjo është shkëputje përfundimtare. Është momenti kur qytetari nuk largohet më vetëm fizikisht nga vendi, por e mbyll derën edhe juridikisht, edhe moralisht, edhe shpirtërisht. Sipas Eurostat, vetëm në vitin 2024 rreth 48 mijë shtetas shqiptarë morën shtetësi në një vend të BE-së, në rritje nga rreth 44.4 mijë një vit më parë.

Kushdo që përpiqet ta shesë këtë si “sukses të integrimit” po mashtron. Po, individi mund të ketë sukses. Familja mund të gjejë stabilitet. Fëmijët mund të kenë shkollë më të mirë, shëndetësi më të mirë, dinjitet më të madh. Por për shtetin shqiptar kjo është humbje. Dhe është humbje e rëndë. Sepse çdo shqiptar që merr një shtetësi tjetër, sidomos pas vitesh sakrificash në emigrim, po jep edhe verdiktin më të ftohtë për vendin e vet: këtu nuk pashë të ardhme, prandaj e ndërtova diku tjetër.

Shifrat bëhen edhe më të rënda kur sheh se pesha kryesore e këtyre shtetësive mbetet te Italia dhe Greqia, vende që prej dekadash kanë thithur krahun e punës, rininë dhe energjinë jetike të Shqipërisë. Në vitin 2024, rreth 65.9% e shtetësive të marra nga shqiptarët në BE u dhanë nga Italia dhe 22.3% nga Greqia. Kjo nuk është më histori emigracioni të përkohshëm. Ky është vulosje e përhershme e një realiteti: shqiptarët jo vetëm po ikin, por po rrënjosen diku tjetër.

Dhe ndërsa kjo ndodh, çfarë bën qeveria?

Flet për arritje. Flet për investime. Flet për reforma. Flet për Europë. Por çfarë Europe është kjo, kur shqiptarët e prekin Europën jo falë shtetit të tyre, por duke braktisur shtetin e tyre?

Çfarë suksesi është ky, kur fshatrat po zbrazen, qytetet po plaken dhe lindjet bien, ndërsa pushteti numëron mandate si trofe personale?

Kjo është fytyra më e shëmtuar e një qeverisjeje të gjatë: jo ndërtimi i një shteti ku njerëzit duan të jetojnë, por normalizimi i një realiteti ku ikja shihet si zgjidhja e vetme.

Më e rënda është se Shqipëria nuk po humbet thjesht numra. Po humbet moshën e punës, energjinë krijuese, shtresën që ndërton ekonomi, familje, jetë publike dhe shpresë. Komisioni Europian ka theksuar se vendi po përballet me rënie të popullsisë dhe tkurrje të popullsisë në moshë pune, përfshirë punonjës të kualifikuar, gjë që rëndon perspektivën ekonomike të vendit.

Prandaj kjo çështje nuk mund të mbetet më te niveli i një lajmi ekonomik apo demografik. Kjo është çështje kombëtare. Sepse një shtet që nuk mban dot njerëzit e vet, herët a vonë humbet edhe fuqinë për të mbrojtur interesin e vet.

Një vend që eksporton rini dhe importon justifikime, është një vend që po gërryhet nga brenda.

Dhe po, përgjegjësia bie e para mbi qeverinë. Pas katër mandatesh, askush nuk mund të fshihet më pas alibive. Kur largimi kthehet në normë dhe shtetësia e huaj në horizontin më të dëshiruar për mijëra shqiptarë, atëherë pushteti nuk ka prodhuar shpresë, por dëbim të heshtur. Një dëbim pa polic, pa urdhër, pa dhunë të dukshme — por me paga të ulëta, padrejtësi, korrupsion, mungesë meritokracie dhe rrënim besimi.

Por as opozita nuk ka të drejtë të lahet. Sepse përballë kësaj drame kombëtare, ajo nuk ka ndërtuar dot një alternativë që të bindë njerëzit të qëndrojnë. Kështu Shqipëria mbetet mes një qeverie që e konsumon dhe një opozite që nuk e ringre dot.

E vërteta është një dhe vetëm një: Shqipëria po humbet bijtë e saj me vulë zyrtare europiane. Dhe kur një vend arrin deri këtu, nuk mjafton më të thuash se kemi problem emigracioni. Duhet thënë troç: kemi dështim shteti.

 

Latest news

Related news