Popullsia e Shqipërisë po plaket, ekspertët: Emigrimi kërcënon skemën e pensioneve
44.3 vjeç është sot mosha mesatare e popullsisë shqiptare. Vetëm një dekadë më parë ajo ishte 35 vjeç. Me fjalë të thjeshta: më shumë pensionistë dhe më pak të rinj.
“Përveç rënies së lindshmërisë, që është faktori kryesor, një tjetër arsye shumë e fortë është emigrimi. Që nga viti 1990 e deri më sot ai ka qenë në nivele shumë të larta. Flasim për rreth 38% të popullsisë shqiptare që ka emigruar, afërsisht 1 milion e 112 mijë persona”,tha Eldisa Cirogu, eksperte për emigracionin
“Sot Shqipëria ka vetëm 1.2–1.6 fëmijë për grua, ndërkohë që për ta mbajtur popullsinë të qëndrueshme duhen 2.1 fëmijë për grua. Kjo do të thotë se kemi më pak lindje sesa vdekje, që është elementi kryesor i plakjes”, u shpreh Gëzim Tushi, sociolog
Një vend që plaket, përballet me një rrezik gjithnjë e më të madh për skemën e pensioneve.
Sipas të dhënave të Eurostat, sot 1 në 3 persona në Shqipëri është pensionist, nga 1 në 5 që ishte një dekadë më parë.
“Kur raporti mes kontribuuesve dhe përfituesve bie, sistemi i pensioneve dobësohet. Në afatgjatë kjo do të thotë pensione më të ulëta sesa sot”, shtoi Cirogu.
“Në Shqipëri po rrezikohen balancat e skemave të mbrojtjes sociale dhe të sigurimeve shoqërore, sepse po prishet raporti mes atyre që kontribuojnë dhe atyre që përfitojnë. Ndërhyrja në tregun e punës është urgjente”, theksoi Tushi.
Shqipëria është ende pak nën mesataren e Bashkimit Europian, ku mosha mesatare është rreth 45 vjeç. Por me këto ritme, jo vetëm që do ta kapërcejë, por rrezikon të renditet ndër popullsitë më të plakura të Europës./vizionplus.tv












