Aktiviteti i larmishëm – cilësia e lajmeve dhe interesi i madh i bashkatdhetarëve shqiptarë kanë tërhequr vëmendjen e mediave greke ndaj Albania TV.
Gazetarja e medias prestigjioze greke Kathimerini, zonja Iliana Magra, zhvilloi një intervistë me gazetarin e mirënjohur z. Shpëtim Zinxhiria dhe ekspertin e çështjeve të emigracionit z. Etmond Guri, lidhur me angazhimin dhe misionin e tyre në Albania TV.

Biseda ishte frytdhënëse dhe u theksua rëndësia që ka ekzistenca e një media në gjuhën shqipe në Greqi, transparenca dhe pasqyrimi i problemeve jetike të emigrantëve, me qëllim që ato të mos bien në vesh të shurdhër.
Albania TV, që në hapat e saj të parë, ka dëshmuar përkushtim, seriozitet dhe profesionalizëm në misionin e saj për informimin sa më të saktë, të paanshëm dhe të drejtpërdrejtë të bashkatdhetarëve tanë.












