𝗠𝗮𝘀𝗮𝘁 𝗽ë𝗿 𝗳𝗹𝘂𝗸𝘀𝗶𝗻 𝗻ë 𝗞𝗮𝗸𝗮𝘃𝗶𝗷𝗲, 𝘀𝗵𝗾𝗶𝗽𝘁𝗮𝗿ë𝘁 𝗾ë 𝗷𝗲𝘁𝗼𝗷𝗻ë 𝗻ë 𝗚𝗿𝗲𝗾𝗶 𝗸𝘁𝗵𝗲𝗵𝗲𝗻 𝘁𝗲𝗸 𝗳𝗮𝗺𝗶𝗹𝗷𝗲𝘁, 𝗽𝗿𝗶𝘁𝗲𝗻 𝗿𝗮𝗱𝗵ë 𝗻ë 𝗽𝗶𝗸𝗮𝘁 𝗸𝘂𝗳𝗶𝘁𝗮𝗿𝗲
Drejtori i Departamentit për Kufirin dhe Migracionin, Sajmir Muçaj, u shpreh se pala shqiptare ka bërë çdo përpjekje në bashkëpunim me autoritetet greke për të shmangur radhët e pritjes, duke theksuar se problematika janë shfaqur edhe për shkak të protestave të zhvilluara në shtetin fqinj, të cilat kanë ndikuar në qarkullimin normal në kufi.
Deklarata u bë gjatë inspektimit në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë, ku ai theksoi se strukturat e Policisë Kufitare janë në gatishmëri të plotë, me shtim të forcave dhe hapje të sporteleve shtesë, për përpunimin sa më të shpejtë të fluksit të lëvizjeve dhe garantimin e rendit e sigurisë publike.
Sipas të dhënave zyrtare, gjatë 5 ditëve të fundit, nëpërmjet PKK Kakavijë janë regjistruar gati 80 mijë lëvizje në të dyja anët e kufirit, fluks që lidhet kryesisht me festat e fundvitit.












