Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare pranë Drejtorisë Vendore të Policisë së Tiranës ka finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Itinerari”. Ky operacion ka goditur një aktivitet të paligjshëm që përfshinte falsifikimin dhe shitjen e vizave hyrëse në Shqipëri.
Si rezultat i hetimeve disajavore dhe punës së koordinuar me Prokurorinë e Tiranës, është arrestuar në flagrancë shtetasi A. T., 22 vjeç, me origjinë nga Bregu i Fildishtë dhe banues në Paskuqan. Ai dyshohet të jetë organizatori kryesor i këtij aktiviteti kriminal.
Sipas hetimeve, A. T., në bashkëpunim me dy persona të tjerë, kishte ngritur një skemë për falsifikimin e vizave hyrëse për Shqipëri. Bashkëpunëtorët e tij janë shtetasi Y. Z., 22 vjeç, gjithashtu nga Bregu i Fildishtë dhe banues në Paskuqan, si dhe shtetasi shqiptar A. R., 46 vjeç, banues në Shkodër.
Dokumentet e falsifikuara u shiteshin emigrantëve nga vende të treta kundrejt shumës prej 1000 euro për dokument.
Gjatë periudhës hetimore janë dokumentuar 7 raste të kësaj veprimtarie. Hetimet vijojnë për të zbuluar nëse ka persona të tjerë të përfshirë apo raste të tjera të ngjashme.
Dy bashkëpunëtorët janë proceduar penalisht në gjendje të lirë. Materialet për veprime të mëtejshme i janë referuar Prokurorisë së Tiranës.















