Kryepiskopi i Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, imzot Joani, festoi ditën e emrit.
Data 26 shtator, që përkon me përvjetorin e jetëndërrimit të Apostullit Joan, shënon edhe festën e emrit të Kryepiskopit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, imzot Joanit.
Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit”, u zhvillua Luturgjia Hyjnore, e cila pati një pjesëmarrje të gjerë besimtarësh nga e gjithë Shqipëria, por edhe nga jashtë.
Liturgjia u drejtua nga Kryepiskop Joani, në bashkëmeshim me Hierarkët e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, si Mitropoliti i Fierit, Hirësi Nikolla, Mitropoliti i Elbasanit, Hirësi Andoni, Mitropoliti i Beratit, Hirësi Asti, Mitropoliti i Gjirokastrës, Hirësi Nathanaili, si dhe Mitropoliti i zgjedhur i Korçës, Hirësi Anastasi, dhe klerikë nga të gjitha Mitropolitë.
Pas kremtimit në Katedrale, në Sallën e Pritjeve të Qendrës Sinodike, u organizua një pritje me rastin e kësaj dite të shënuar.
Kryepiskopin Joan e uruan përzemërsisht qindra klerikë dhe besimtarë, përfshirë të rinj dhe fëmijë.
Nderuan me praninë e tyre Kryepiskopin edhe përfaqësues nga Trupi diplomatik, Deputetë, Akademikë dhe studiues të fushave të ndryshme si arti dhe historia.
Në madhështinë e këtij kremtimi u bashkuan urimet e përzemërta nga primatët e Kishave Orthodhokse simotra, duke përfshirë Patriarkun Ekumenik të Konstandinopojës, Bartholomeu, Patriarkun e Moskës dhe të Gjithë Rusisë, Kirili, Patriarkun e Jerusalemit, Theofili III, si dhe Papa Leoni XIV, mes të tjerëve.















