Çdo projekt i propozuar nën modelin e Partneritetit Publik Privat (PPP) do të duhet të shoqërohet me një studim fizibiliteti, sipas kritereve të reja të miratuara nga Ministria e Financave.
Udhëzimi i ri kërkon që projektet t’i nënshtrohen një analize të detajuar, si cilësore ashtu edhe sasiore, për të vërtetuar efikasitetin e tyre krahasuar me modelet tradicionale të financimit dhe zbatimit nga shteti.
Ky udhëzim, i titulluar “Për përcaktimin e metodologjisë së përgatitjes së studimit të plotë të fizibilitetit dhe studimit të thjeshtuar të fizibilitetit”, specifikon se analizës së fizibilitetit do t’i nënshtrohen të gjitha projektet investimesh me vlerë të lartë.
Veçanërisht për projektet PPP, kërkohet kryerja e analizave të detajuara të “Vlerës për Parë” dhe “Analizës sasiore të vlerës së parasë”. Këto analiza do të krahasojnë kostot dhe përfitimet e modelit PPP me ato të modelit tradicional të zbatimit nga shteti.
Analiza cilësore do të vlerësojë përfitimet shoqërore, ndarjen e rreziqeve, interesin e tregut dhe potencialin për inovacion. Ndërkohë, analiza sasiore do të ofrojë një krahasim financiar të hollësishëm për të përcaktuar nëse PPP sjell realisht kursime për shtetin.
Nëse rezulton se modeli PPP ofron më shumë përfitime dhe një “Vlerë më të lartë për paranë” krahasuar me zbatimin tradicional, atëherë ai do të konsiderohet mënyra më efikase për realizimin e projektit.
Për të marrë vendimin përfundimtar, do të nevojiten si analiza cilësore (përfitime jo-financiare) ashtu edhe ajo sasiore (llogaritjet financiare), si dhe vlerësimi i interesit të tregut nga kompani private të gatshme të marrin përsipër projektin.
Në rast të përzgjedhjes së modelit PPP, institucioni propozues duhet të sigurojë detaje shtesë, duke përfshirë koston totale të projektit, periudhën e kontratës, kostot e mirëmbajtjes dhe çdo informacion tjetër të nevojshëm për përgatitjen e tenderit, në përputhje me legjislacionin për koncesionet dhe PPP-të.
Ky udhëzim thekson se analiza “Vlera për Parë” aplikohet vetëm për projektet që do të zbatohen sipas modalitetit PPP, duke e konsideruar atë si një mënyrë zbatimi të mundshme kur ajo justifikohet.
Analiza sasiore e “Vlerës për Parë” mbështetet në krahasimin e flukseve financiare të sektorit publik në të dy skenarët, duke përdorur metodën e skontuar të fluksit monetar dhe Krahasuesin e Sektorit Publik (PSC).
Nëse vlera aktuale e flukseve të subjektit publik në modelin PPP rezulton më e lartë se vlerat e PSC, kjo tregon një efikasitet më të lartë të modalitetit PPP. Vendimi përfundimtar për zgjedhjen e metodës së zbatimit duhet të bazohet në rezultatet e analizës cilësore, sasiore dhe testimit të tregut.















