Babai i vajzës nga Saranda, e cila dy ditë më parë tentoi të vetëvritej duke u hedhur nga pallati ku jetonin, ka folur ekskluzivisht për Euronews Albania lidhur me momentet e rënda që familja ka kaluar. Ai rrëfeu se vajza kishte shfaqur shenja shqetësimi prej disa ditësh, por nuk kishte treguar për çfarë bëhej fjalë.
Sipas tij, ngjarja ndodhi pas një periudhe të vështirë për vajzën, e cila dyshohet se është bullizuar në shkollë, ashtu si edhe vëllai i saj i vogël.
“Gjatë këtyre dy javëve të fundit, sidomos javën e fundit vajza ka qenë shumë e shqetësuar. E kuptoja se i jepja lek për të ngrënë dhe nuk hante. I thoja më trego, por nuk më tregonte dhe rrinte e mbyllur dhe e shqetësuar. Kjo zgjati 10 ditë dhe nuk më tregonte,” tha ai.
Babai vijoi rrëfimin: “Pikërisht ndodhi ajo që u bë pardje, kisha dhe datëlindjen e djalit. Vajza sapo vjen nga shkolla i thotë të vëllait, i tregon diçka, foto a mesazh: ‘Kjo më ka bullizuar dhe ironizuar’. Mirë, i thotë vëllai, se do t’i rregullojmë gjërat. Vajza u shtri në krevatin dopio ndërsa bashkëshortja bisedonte me një mësuese jashtë. Edhe dëgjoj një zhurmë nga ballkoni dhe çfarë të shikoj. Zoti i madh e ruajti.”
Ai shtoi se edhe djali i vogël, i cili është arsyeja e bullizmit, po vuan të njëjtin fenomen. “Kam pasur dhe djalin e vogël në shtëpi, pa shkollë se është arsyeja e bullizmit. Edhe ai bullizohet shumë. Ofendime nga më të ndryshmet, por edhe bashkëshorten ma shajnë dhe ofendojnë. Që kur ka filluar shkolla djali ka qëndruar vetëm në shtëpi,” – tha babai i vajzës për Euronews Albania.
Vajza fatmirësisht ka shpëtuar pas ngjarjes, ndërsa familja kërkon tani ndërhyrje dhe mbështetje për të përballuar situatën. Ata kërkojnë vëmendje të veçantë ndaj fenomenit të bullizmit në shkolla, që sipas tyre po shkatërron psikologjikisht fëmijët.















