Një gjurmë gishtash e lënë në vendin e ngjarjes ka mundësuar për policinë italiane, Karabinierët e Kompanisë Borgo San Lorenzo, shkatërrimin e një rrjeti të sofistikuar ndërkombëtar të trafikimit të drogës. Ky operacion, i koordinuar nga Drejtoria Anti-Mafia e Qarkut të Firences (DDA) dhe i zhvilluar në periudhën 2020-2023, ka çuar në lëshimin e 12 urdhrave të paraburgimit dhe 20 kontrolleve. Policia e Shtetit shqiptar ka publikuar informacionet lidhur me operacionin e koduar “Fingerprint” (Gjurma e gishtit).
Në Portëz të Fierit është bërë i mundur arrestimi i njërit prej anëtarëve të organizatës, i cili ishte shpallur në kërkim nga Italia si pjesë e dosjes hetimore. Ai është identifikuar si Edi Hoxha, i njohur edhe si Edison Hoxha, 41 vjeç. Mediat italiane kanë raportuar detaje shtesë mbi operacionin dhe hetimet e kryera në vendin fqinj. Mes të arrestuarve është edhe një shtetase femër, ndërsa hetimet zbulojnë se organizata përbëhej nga 3 celula, të cilat drejtoheshin nga shtetas shqiptarë.
Operacioni u zhvillua njëkohësisht në 10 provinca italiane, me angazhimin e mbi 100 efektivëve dhe njësive speciale me qen antidrogë. Hetimi, i cili nisi në zonën e Mugellos, ka nxjerrë në dritë aktivitetin e tre grupeve kriminale të dallueshme me shtrirje transnacionale. Gjatë fazës së hetimeve, janë sekuestruar rreth 2 kg kokainë, 22 kg marihuanë dhe rreth gjysmë kilogrami hashash. Në kuadër të këtij operacioni, janë arrestuar edhe katër persona të tjerë.
Tre grupet dhe aktivitetet e tyre kriminale
Sipas rindërtimeve të bëra nga hetuesit, organizatat operonin në fronte të ndryshme:
- Një grup shtetasish shqiptarë ishte i specializuar në importimin e kokainës nga Holanda dhe më pas në shitjen e saj me shumicë brenda territorit italian.
- Një tjetër celulë kriminale merrej me eksportimin e kokainës nga Firence drejt Zvicrës, ku ajo shitej me pakicë bashkë me sasi hashashi dhe marihuane. Trafiku i drogës shtrihej si në kantonin e Zyrihut, ashtu edhe në disa provinca të Toskanës.
- Organizata e dytë, e krijuar si një degëzim i së parës, përbëhej tërësisht nga shtetas shqiptarë, përfshirë një grua, dhe administronte importimin e sasive të mëdha të kanabisit nga Zvicra drejt tregut italian.
Operacioni i zhvilluar ka rezultuar në arrestimin e 12 personave, ku njëri prej tyre gjendej në Shqipëri, falë një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet italiane. Arrestimet dhe kontrollet e tjera u kryen në Firence dhe nëntë provinca të tjera italiane.















