26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Shqiptari në krye të rrjetit? Goditet grupi i drogës në Mykonos, sekuestrohen kokainë, MDMA dhe “kokainë rozë”

Një operacion i gjerë i Drejtorisë Greke kundër Krimit të Organizuar ka çuar në shkatërrimin e një rrjeti të fuqishëm të trafikut të drogës në ishullin e Mykonosit. Gjashtë persona janë arrestuar, ndërsa sipas mediave greke, organizatori i dyshuar i grupit është një shtetas me origjinë shqiptare.

Shqiptari në krye të rrjetit? Goditet grupi i drogës në Mykonos, sekuestrohen kokainë, MDMA dhe “kokainë rozë”
Shqiptari në krye të rrjetit? Goditet grupi i drogës në Mykonos, sekuestrohen kokainë, MDMA dhe “kokainë rozë”

Sipas hetimeve, i dyshuari kishte transferuar aktivitetin e tij nga Athina në Mykonos, ku dyshohet se kishte ngritur një rrjet të mirëorganizuar për furnizimin e turistëve me lëndë narkotike, veçanërisht gjatë sezonit veror.

Autoritetet greke bëjnë të ditur se ai ishte tashmë i njohur për policinë dhe dyshohet se kishte rol të rëndësishëm në tregun e drogave të shtrenjta në Athinë. Për muaj me radhë ai ishte nën vëzhgim, pasi hetuesit besonin se drejtonte aktivitetin kriminal nga prapaskena.

Për të mos ngjallur dyshime, grupi përdorte si mbulesë një biznes transporti luksoz me furgonë VIP, duke ofruar shërbime për turistët në Mykonos. Sipas policisë, pikërisht gjatë këtyre lëvizjeve realizoheshin edhe transaksionet e drogës larg syve të publikut.

Gjatë operacionit, ku morën pjesë forcat speciale të policisë greke dhe njësitë antidrogë, u sekuestruan mbi 2 kilogramë kokainë, sasi të konsiderueshme “kokainë rozë”, MDMA, ekstazi, metamfetaminë kristalore, ketaminë dhe kanabis.

Lëndët narkotike u gjetën si në banesën e të dyshuarit kryesor në Atikë, ashtu edhe në disa vende të fshehta në Mykonos. Hetimet vijojnë dhe autoritetet nuk përjashtojnë arrestime të tjera në ditët në vijim.

Sipas policisë greke, rrjeti synonte të furnizonte Mykonosin me sasi të mëdha droge përpara kulmit të sezonit turistik, një fenomen që ka bërë që kontrollet dhe operacionet antidrogë në ishull të intensifikohen vitet e fundit.

Latest news

Related news