26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Shqipëria që duam: Zhvillim me drejtësi, jo pa shpirt



Nga Lindita Kulla

Ditët e fundit po dëgjojmë shumë zëra, shumë mendime dhe shumë emocione rreth asaj që po ndodh në Shqipëri. Secili ka të drejtën e tij të shprehet dhe të mbrojë atë që beson.
Dua vetëm të reflektoj si një shqiptare që jeton larg vendit të saj, por që e mban gjithmonë në zemër.
Shqipëria ka nevojë për zhvillim. Ka nevojë për investime, për vende pune, për mundësi që të rinjtë të mos largohen. Por Shqipëria ka nevojë edhe për drejtësi, për respektimin e pronës, të ligjit dhe të dinjitetit të çdo qytetari. Zhvillimi nuk duhet të ndërtohet mbi padrejtësinë, ashtu si mbrojtja e të drejtave nuk duhet të jetë pengesë për përparimin.
Në këtë debat është shfaqur edhe flamingoja, një simbol që për shumëkënd është thjesht një zog i bukur. Por flamingoja na kujton diçka më të madhe: ekuilibrin. Ajo jeton aty ku natyra dhe njeriu bashkëjetojnë në harmoni. Kur ky ekuilibër prishet, largohet flamingoja. Kur humbet dialogu, largohet mirëkuptimi. Kur humbet respekti, humbet besimi.
Ndoshta pyetja nuk është nëse jemi pro ose kundër. Ndoshta pyetja është: çfarë Shqipërie duam t’u lëmë fëmijëve tanë?
Një Shqipëri që zhvillohet, por që nuk harron njerëzit e saj.
Një Shqipëri që ndërton, por edhe ruan.
Një Shqipëri që dëgjon.
Një Shqipëri që bashkon.
Ne emigrantët e duam vendin tonë dhe ndjekim me vëmendje çdo zhvillim. Por jetojmë edhe realitetin tonë të përditshëm, me sfidat, punën, familjen dhe të ardhmen e fëmijëve tanë këtu ku ndodhemi. Prandaj besoj se më shumë se sa të zgjedhim anë, kemi nevojë të zgjedhim urtësinë, dialogun dhe respektin.
Shqipëria nuk ka nevojë për më shumë ndarje.
Ka nevojë për më shumë besim …

Latest news

Related news