26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Shqipëria hyn në historinë e Eurimages: Bashkëprodhimi i parë televiziv shqiptar përzgjidhet nga fondi prestigjioz i Këshillit të Evropës

Shqipëria hyn në historinë e Eurimages: Bashkëprodhimi i parë televiziv shqiptar përzgjidhet nga fondi prestigjioz i Këshillit të Evropës

Industria audiovizive shqiptare shënon një moment historik me përzgjedhjen e serialit të limituar “The Boy Who Could Listen to the Soil” për financim nga Programi Eurimages për Bashkëprodhimet Televizive për 2026.

Ky është projekti i parë televiziv në histori me bashkëprodhim shqiptar që përzgjidhet për mbështetje nga Eurimages, duke vendosur Shqipërinë në hartën evropiane të serialeve të mbështetura nga një prej fondeve më të rëndësishme audiovizive të Evropës. Kjo është gjithashtu hera e parë që një produksion televiziv grek fiton Eurimages. Projekti është një nga shtatë produksionet fituese të këtij viti.

Seriali me tetë episode “The Boy Who Could Listen to the Soil” është në skenar dhe regji nga regjisori greko-shqiptar Neritan Zinxhiria (Chamomile, Noi, Light of Light) dhe aktualisht është në fazën e financimit. Ai bazohet në romanin bestseller të autorit Michalis Albatis“Dhe të vdekurit le të varrosin të vdekurit e tyre”. Vlerësimi ndërkombëtar i serialit në fazë zhvillimi, nisi me çmimin Seriali i Dytë më i Mirë Evropian në NEM Zagreb TV Market 2025.

Nga pala shqiptare, projekti bashkëprodhohet nga producentja Efijeni Kokëdhima përmes kompanisë Art Film me producent  Enea Gramo, ndërsa partnerët grekë janë Foss Productions.

Foss Productions është kompania e parë greke që ka realizuar Netflix Original, serialin “Maestro in Blue”, i cili u rendit ndër “Top 10 most watched worldwide”, duke shënuar një nga sukseset më të mëdha ndërkombëtare të industrisë televizive greke. The Great Chimera, ndër projektet e fundit të Foss Productions, u bashkëprodhua me Rai 1, u shfaq në Televizionin publik grek ERT, Rai 1 dhe përfaqësohet nga Beta Distributions.

“The Boy Who Could Listen to the Soil”

Një histori adoleshence, misteri, besimi dhe faljeje

I vendosur në Kretë gjatë viteve 1950, seriali me tetë episode ndjek historinë e Fanurit, një djalë 14-vjeçar që, pas një ngjarjeje misterioze, zbulon se mund të dëgjojë zërat e të vdekurve. Ndërsa lajmi për aftësinë e tij të jashtëzakonshme përhapet, autoritetet lokale dhe persona që kërkojnë ta shfrytëzojnë dhuntinë e tij përfshihen në një histori ku e mbinatyrshmja ndërthuret me besimin, pushtetin, dhe kërkimin universal njerëzor për falje dhe shëlbim.

Bashkëprodhimi i parë televiziv mes Shqipërisë dhe Greqisë

Ky serial shënon bashkëprodhimin e parë historik televiziv për seriale të limituara mes Shqipërisë dhe Greqisë, duke krijuar një mundësi për bashkëpunim strategjik afatgjatë ndërmjet dy vendeve në sektorin audioviziv.

Përveç xhirimeve të planifikuara në Greqi, Foss Productions synon që një pjesë e rëndësishme e xhirimeve të zhvillohet edhe në Shqipëri, duke sjellë mundësi të reja për profesionistët shqiptarë të industrisë, duke nxitur zhvillimin e kapaciteteve vendase dhe duke promovuar Shqipërinë si destinacion për produksione ndërkombëtare të nivelit të lartë.

Një hap i ri për industrinë audiovizive shqiptare

Përzgjedhja e “The Boy Who Could Listen to the Soil” nga Eurimages përfaqëson një njohje të rëndësishme ndërkombëtare për potencialin krijues dhe profesional të industrisë shqiptare. Ky moment historik hap rrugën për një brez të ri bashkëprodhimesh shqiptare me ambicie evropiane dhe pozicionon Shqipërinë si një partner gjithnjë e më të rëndësishëm në industrinë audiovizive ndërkombëtare.

Latest news

Related news