Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, është paraqitur për herë të fundit pranë shërbimit të provës, masë që iu dha për lirimin e tij nga qelia.
Ai u shpreh se beteja e tij me drejtësinë sapo ka filluar, duke shtuar se çështjen do ta çojë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg.
“Beteja me drejtësinë sapo ka filluar, do e depozitoj në Gjykatën Kushtetuese për pak ditë. Më pas në Strasburg, besoj në fitore”, tha ai.
Ish-deputeti u lirua pas më shumë se 9 muajsh qëndrimi në burgun e Fierit, pa përfunduar afatin e dënimit me 1 vit burg të caktuar nga Apeli në Tiranë. Kjo pasi Gjykata e Fierit, më 8 Korrik 2025, vendosi lirimin me kusht të Ervin Salianjit, pasi prokurori i çështjes dha dakordësinë. Gjithashtu, në atë kohë, shërbimi i provës dhe IEVP Fier paraqitën para togave të zeza një raport pozitiv për Ervin Salianjin.
Më 26 shtator 2024, Gjykata e Apelit mori vendimin për dënimin me një vit burg të ish-deputetit demokrat për “kallëzim të rremë”, për denoncimin që bëri ndaj Geron Xhafës, vëllait të ish-ministrit Fatmir Xhafa.















