Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, gjatë konferencës me temë “Më shumë standard në territor, më shumë koordinim dhe qytete më të rregullta në rrugën drejt Bashkimit Europian”, ka lëshuar kritika të forta ndaj disa kryetarëve të bashkive në vend.
Në fjalën e tij, Rama u shpreh i pakënaqur me faktin se disa drejtues vendorë kalojnë më shumë kohë në Tiranë sesa pranë komuniteteve që përfaqësojnë.
“Disa prej jush jetoni në Tiranë dhe jo pranë komunitetit tuaj. Mjaft më! Kthehuni në bashkitë tuaja, qëndroni pranë qytetarëve dhe punoni më fort”, u shpreh kryeministri.
Rama theksoi se rruga e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian kërkon përkushtim, punë, sakrifica dhe vendosmëri, por mbi të gjitha kërkon shërbim ndaj qytetarëve.
Sipas tij, objektivi për një Shqipëri europiane kalon përmes qyteteve më të rregullta, shërbimeve më cilësore, komuniteteve më aktive dhe infrastrukturës moderne, duke kërkuar angazhim maksimal nga pushteti vendor në çdo bashki të vendit.












