30.2 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Performanca e dobët: argument i shëndoshë për reformim, por jo për shkrirjen e bashkisë

Në debatin për reformën administrativo-territoriale, një nga argumentet që përdoret për shkrirjen e disa bashkive është performanca e tyre e dobët gjatë viteve pas reformës së vitit 2015.
Nga Profesor Agron Haxhimali
Problemi nuk është të mohojmë se disa bashki kanë performuar dobët. Përkundrazi, kjo duhet të pranohet. Shumë bashki lënë për të dëshiruar në cilësinë e shërbimeve, menaxhimin financiar, investimet apo kapacitetet administrative.
Çfarë tregon në të vërtetë kjo performancë e dobët?
A tregon dhe provon ajo se territori nuk është i përshtatshëm për vetëqeverisje, apo tregon se mënyra se si është menaxhuar bashkia ka qenë e dobët?
Performanca është rezultat, jo tipar i territorit.Një bashki mund të performojë dobët për shumë arsye: menaxhim të dobët politik ose administrativ, staf me kapacitete të pamjaftueshme, bazë të dobët fiskale, transferta të pamjaftueshme, organizim joeficient të shërbimeve, mungesë investimesh apo probleme demografike etj.
Prandaj duhet bërë një dallim i qartë se nga vjen problemi-nga administrata dhe drejtuesit që ndryshojnë apo territori dhe komuniteti mbeten.
Këtu lind një pyetje shumë e thjeshtë:Nëse një bashki performon dobët në vitin 2026, çfarë tregon se territori i saj është i papërshtatshëm për vetëqeverisje edhe në vitin 2036?
Një kryetar apo administratë mund të performojë dobët sot. Pas zgjedhjeve mund të vijë një drejtim tjetër, të ndryshojë administratën, të rrisë mbledhjen e të ardhurave, të përmirësojë menaxhimin e mbetjeve, investimet apo shërbimet sociale,urbanizimin etj. dhe performanca bëhet pozitive.
Nëse problemi është menaxherial, zgjidhja duhet të kërkohet fillimisht te menaxhimi dhe jo te eliminimi i njësisë territoriale.
Bashkia nuk është vetëm administratë.Një bashki mbështetet mbi tre elemente themelore: territorin, popullsinë dhe pushtetin vendor.
Territori është hapësira ku zhvillohet jeta ekonomike dhe sociale e komunitetit.
Popullsia përfaqëson njerëzit, marrëdhëniet, identitetin dhe interesat e përbashkëta.
Pushteti vendor është struktura politike dhe administrative që i qeveris këto elemente.
Pikërisht këtu duhet bërë dallimi:Territori ka potencial.Komuniteti ka identitet dhe interesa.Administrata ka performancë.
Kur shteti vlerëson një bashki, nuk duhet të shohë vetëm sa taksa mblodhi, sa shpenzoi, sa punonjës ka apo sa shërbime dha.
Territori bart edhe kapital natyror,kapital social,kapitalekonomik,identitet,histori,lidhje komunitare dhe potencial zhvillimi.
Një territor mund të ketë sot administratë të dobët, por njëkohësisht ka tokë bujqësore, pyje, burime ujore, nèntoksore, potencial turistik, ekonomi lokale, trashëgimi kulturore, komunitete të konsoliduara dhe potencial zhvillimi për të ardhmen.
Këto nuk janë performanca e kryetarit të bashkisë,prandaj nuk mund të penalizohet territori dhe komuniteti për performancën e përkohshme të administratës që i menaxhon.
Një administratë e dobët mund të ndryshohet në një mandat por një territor i shkrirë nuk rikrijohet çdo katër vjet.
Analiza e shendetëtshme duhet provojé një lidhje shumë më të qartë: performanca e dobët shkaktohet nga madhësia ose konfigurimi territorial? bashkimi e korrigjon këtë problem? performanca dhe shërbimet përmirësohen?A është provuar se performanca e dobët vjen nga vetë madhësia dhe konfigurimi territorial i saj?
Nëse problemi është menaxhimi, duhet përmirësuar menaxhimi. Nëse është financiar, duhet rishikuar financimi. Nëse një shërbim kërkon ekonomi shkalle, mund të përdoret bashkëpunimi ndërbashkiak apo organizimi i përbashkët i shërbimeve.
Vetëm kur provohet se vetë konfigurimi territorial është pengesa kryesore, atëherë shkrirja mund të konsiderohet si zgjidhje.

Latest news

Related news