Senati i Shteteve të Bashkuara ka miratuar një rezolutë procedurale që i hap rrugën shqyrtimit dhe votimit të kandidaturës së Eric Wendt për ambasador të SHBA-së në Shqipëri.
Rezoluta u miratua më 30 korrik me 50 vota pro dhe 47 kundër, duke lejuar që emërimi i Wendt, së bashku me dhjetëra kandidatura të tjera të administratës amerikane, të kalojë në fazën e votimit përfundimtar në Senat.
Nëse konfirmohet, Eric Wendt do të jetë ambasadori i parë amerikan në Tiranë pas largimit të Yuri Kim në qershor të vitit 2023. Që prej asaj kohe, Ambasada e SHBA-së në Shqipëri është drejtuar nga të ngarkuar me punë.
I propozuar nga Presidenti Donald Trump në prill 2026, Wendt është një ushtarak karriere me mbi 34 vite shërbim, me përvojë në Departamentin amerikan të Shtetit dhe në strukturat e NATO-s.
Gjatë dëshmisë së tij në Komisionin për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit, ai vlerësoi marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu respekt të veçantë për Forcat Speciale shqiptare.
“Forcat Speciale shqiptare mishërojnë shpirtin luftëtar të heroit kombëtar Skënderbeu, ndërsa populli shqiptar është krenar, punëtor dhe mikpritës”, u shpreh ai.
Wendt prezantoi katër prioritetet kryesore të mandatit të tij, nëse merr miratimin përfundimtar:
forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe trafikut të drogës;
zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje, siguri dhe fushën kibernetike;
rritjen e investimeve amerikane në Shqipëri, veçanërisht në inteligjencën artificiale, energji, infrastrukturë dhe sektorin minerar;
kujdesin për mirëqenien e stafit diplomatik amerikan në vend.
Kandidatura e tij ishte miratuar më herët edhe nga Komisioni për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit me 19 vota pro dhe 3 kundër. Tashmë mbetet vetëm votimi përfundimtar në Senat, i cili do të përcaktojë emërimin e tij si ambasador i ri i Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.












