26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Një copëz e shpirtit të Shqipërisë në Hollywood! Iso-polifonia shqiptare bëhet pjesë e filmit epik të Christopher Nolan

Një nga pasuritë më të çmuara të kulturës shqiptare do të dëgjohet në një prej filmave më të shumëpritur të viteve të fundit. Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se kolona zanore e filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është ndërtuar edhe mbi tingujt autentikë të iso-polifonisë shqiptare.

Në kërkim të një identiteti unik muzikor për adaptimin e poemës epike të Homerit, Göransson udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku kaloi një javë duke regjistruar këngë tradicionale iso-polifonike. Sipas tij, kjo formë e lashtë e këndimit, e njohur nga UNESCO si Pasuri Botërore e Njerëzimit, nuk ishte përdorur kurrë më parë në një produksion të këtij niveli.

Por frymëzimi nuk u ndal vetëm te polifonia.

Kompozitori regjistroi edhe tingujt e fyellit të barinjve shqiptarë, instrument që vazhdon të shoqërojë jetën në malësitë e jugut prej shekujsh. Për të kapur atmosferën autentike, ekipi i filmit u detyrua të niste regjistrimet para lindjes së diellit.

“Duhej t’i përfundonim regjistrimet deri në orën 6 të mëngjesit, sepse barinjtë ngriheshin që në orën 4 për t’u kujdesur për kopenë,” – ka treguar Göransson.

Ky detaj dëshmon përkushtimin e jashtëzakonshëm të ekipit krijues për të sjellë në ekran jo vetëm një histori legjendare, por edhe tinguj të vërtetë, të ruajtur ndër shekuj.

Edhe regjisori Christopher Nolan ka deklaruar se synimi i tij ishte të krijonte një version të “Odiseas” ndryshe nga çdo adaptim i mëparshëm, duke i dhënë një identitet të ri artistik një prej veprave më të rëndësishme të letërsisë botërore.

Për Shqipërinë, ky është një moment me rëndësi të veçantë kulturore. Iso-polifonia, e trashëguar brez pas brezi në jug të vendit, do të dëgjohet në një superprodhim të Hollywood-it, duke çuar jehonën e kulturës shqiptare në ekranet e kinemave në mbarë botën.

Një tjetër dëshmi se trashëgimia shqiptare vazhdon të frymëzojë artin ndërkombëtar dhe të fitojë vendin që meriton në skenën botërore.

Latest news

Related news