Nga sakrifica e brezit të parë tek vizioni i brezit të dytë: Rruga e re e Diasporës Shqiptare në Greqi
Të dashur bashkatdhetarë, miq, përfaqësues të shoqatave, organizatave dhe gjithë shqiptarëve që prej dekadash kanë ndërtuar historinë tonë në Greqi.
Historia e emigracionit shqiptar në Greqi është një histori e jashtëzakonshme force njerëzore. Është historia e një brezi që kaloi kufijtë në vitet më të vështira, punoi fort, duroi paragjykime, sakrifikoi familjen, por arriti të bëhet faktor në këtë vend.
Sot, pas më shumë se tri dekadash, shqiptarët në Greqi nuk janë më thjesht emigrantë. Janë familjarë, profesionistë, studentë, sipërmarrës, qytetarë aktivë dhe një pjesë e rëndësishme e vetë shoqërisë greke.
Dhe pikërisht sepse kemi arritur deri këtu, sot kemi detyrimin historik të mendojmë jo vetëm për të tashmen tonë, por mbi të gjitha për të ardhmen që do t’u tashëgojmë brezave që vijnë.
Dua të shpreh fillimisht respektin dhe mirënjohjen time për të gjitha shoqatat, organizatat, unionet, lidhjet, komunitetet, federatat shqiptare, për të gjithë ata bashkëatdhtarë, intelektualë që ndër vite kanë mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar.
Çdonjëri prej tyre ka dhënë kontributin e vet. Kanë organizuar aktivitete kulturore, kanë ruajtur traditat tona, kanë qenë pranë bashkatdhetarëve në momentet më të vështira dhe meritojnë vlerësim të sinqertë për gjithçka kanë ndërtuar.
Por koha ndryshon. Rrethanat ndryshojnë. Dhe bashkë me to ndryshojnë edhe nevojat e komunitetit tonë.
Sot shqiptarët në Greqi nuk kanë nevojë vetëm për aktivitete kulturore. Sot kemi nevojë për përfaqësim institucional serioz. Për ekspertizë profesionale. Për analiza të mirëstrukturuara. Për një organizim që jo vetëm reagon ndaj problemeve, por që parashikon sfidat dhe ndërton zgjidhje afatgjata.
Pikërisht nga kjo nevojë lindi Diaspora Shqiptare në Greqi: një organizim i shkallës së tretë (Konfederatë), i vetmi organ i këtij niveli me bazë ligjore në Greqi, i ndërtuar mbi parime demokratike, transparencë, legjitimitet dhe përfaqësim institucional. Sepse ne besojmë fort se vetëm institucionet që lindin nga demokracia dhe transparenca kanë forcën për të ndërtuar besim afatgjatë.
Por dua të jem shumë i qartë.
Diaspora nuk erdhi për të zëvendësuar askënd.
Diaspora nuk është kundër askujt.
Diaspora nuk synon të minimizojë kontributin e askujt.
Përkundrazi: Diaspora duhet të jetë shtëpia e përbashkët ku të gjithë kanë vend: Shoqatat, Organizatat, Federatat, Unionet, Komunitetet, Profesionistët, aktivistët, intelektualët dhe çdo qytetar shqiptar që beson se mund të kontribuojë për të mirën e përbashkët.
Brezi i parë ndërtoi themelet e kësaj historie. Por tashmë kemi hyrë në një fazë të re, ku duhet të fillojmë të mendojmë me horizont shumë më të gjerë.
Sot komuniteti shqiptar në Greqi përballet ende me sfida serioze. Mijëra familje vazhdojnë të vuajnë kalvarin e dokumenteve, vonesat administrative, pasigurinë ligjore dhe vështirësitë e integrimit.
Këto probleme nuk mund të trajtohen më me reagime spontane apo iniciativa të izoluara. Ato kërkojnë dije. Kërkojnë profesionalizëm. Kërkojnë struktura serioze që analizojnë problematikat e komunitetit dhe ndërtojnë dialog institucional me shtetin grek, shtetin shqiptar dhe institucionet europiane.
Dhe pikërisht këtu qëndron misioni ynë.
Të jemi ura që lidh qytetarin me institucionin. Të kthejmë shqetësimin individual në zgjidhje kolektive. Të bëhemi zëri institucional që komuniteti shqiptar në Greqi ka munguar për shumë vite. Por mbi të gjitha, ne kemi sot një përgjegjësi edhe më të madhe.
Një përgjegjësi që lidhet me pasurinë më të çmuar që kemi: brezin e dytë. Të rinjtë shqiptarë të Greqisë nuk janë thjesht e ardhmja e komunitetit tonë. Ata janë themeli mbi të cilin do të ndërtohet kapitulli i ri i historisë sonë. Janë një brez që është rritur mes dy kulturave, që mendon europianisht, që zotëron dy gjuhë, që kupton dy realitete dhe që ka potencialin të shndërrohet në forcën më të madhe transformuese të pranisë shqiptare në Greqi.
Në duart e tyre ndodhet vazhdimësia jonë. Në energjinë e tyre ndodhet modernizimi ynë. Në vizionin e tyre ndodhet aftësia jonë për të kaluar nga emigracioni historik… drejt një komuniteti të konsoliduar europian.
Prandaj vizioni ynë është i qartë.
Ne duam të ndërtojmë një Diasporë moderne. Një Diasporë demokratike. Një Diasporë europiane. Një Diasporë ku secili kontribuon sipas aftësive të veta. Një Diasporë ku çdo mendim dëgjohet dhe çdo kontribut respektohet. Një Diasporë që bashkon dhe nuk përçan. Një Diasporë që krijon institucione dhe jo rivalitete personale.
Sepse shqiptarët në Greqi kanë hyrë në një epokë të re. Dhe kjo epokë kërkon më pak ego personale dhe më shumë ndërgjegje kolektive. Më pak fragmentim dhe më shumë bashkëpunim. Më pak reagime emocionale dhe më shumë vizion strategjik. Më pak fjalë dhe më shumë institucione.
Unë besoj fort se nëse ecim së bashku, me respekt për historinë tonë dhe me besim tek brezi që po vjen, ne mund të ndërtojmë diçka që nesër do të konsiderohet një arritje historike për gjithë shqiptarët në Greqi.
Diaspora Shqiptare në Greqi nuk është e disa njerëzve. Ajo duhet të jetë zëri i të gjithëve. Sepse e ardhmja nuk ndërtohet nga një individ.E ardhmja ndërtohet nga një shoqëri që mëson të besojë tek vetja, tek demokracia dhe tek forca e bashkimit.
Kjo është koha jonë. Le ta ndërtojmë së bashku:
Me dinjitet. Me demokraci. Me përgjegjësi. Me vizion. Dhe me bindjen se shqiptarët në Greqi meritojnë jo vetëm të jetojnë me dinjitet… Por edhe të përfaqësohen me dinjitet.
Me respekt
Etmond Guri
Krytar i Diasporës Shqipatre në Greqi












