Një ngjarje e pazakontë ka tronditur plazhin Marina di Ragusa në Siçili, ku pako me qindra mijëra euro u hodhën në det dhe më pas dolën në breg, duke tërhequr vëmendjen e dhjetëra pushuesve.
Sipas autoriteteve italiane, gjithçka nisi kur një gomone me katër persona në bord mbeti pa karburant pranë portit. Ndërsa Roja Bregdetare iu afrua për t’i ndihmuar, dy personat që ndodheshin ende në mjet nisën të hidhnin në det dhjetëra pako me kartëmonedha.
Rrymat detare i sollën pakot deri në breg, ku pushuesit vrapuan për t’i mbledhur. Pak minuta më vonë, policia, karabinierët dhe Garda Financiare rrethuan zonën, sekuestruan paratë dhe identifikuan disa persona që kishin marrë një pjesë të tyre.
Sipas mediave italiane, kartëmonedhat ishin në prerje nga 5 deri në 100 euro, ndërsa deri tani autoritetet kanë sekuestruar gati 700 mijë euro, pa përjashtuar mundësinë që një pjesë e shumës të mos jetë gjetur ende.
Në kuadër të hetimeve janë arrestuar tre persona, ndërsa në gomone ndodhej edhe një i mitur, i cili, sipas informacioneve paraprake, nuk ka lidhje familjare me të arrestuarit.
Hetuesit po përpiqen të zbardhin origjinën e parave dhe nuk përjashtojnë asnjë pistë, përfshirë lidhje të mundshme me krimin e organizuar dhe pastrimin e parave, duke qenë se zona e Ragusës konsiderohet prej kohësh një pikë me interes për aktivitetet e rrjeteve kriminale në Mesdhe.












