19.3 C
Athens
E martë, 22 Shtator, 2026

“Luftë” në ajër mbi Egje! Dy përballje të ashpra mes avionëve grekë dhe turq

Një zhvillim serioz dhe shqetësues është regjistruar në hapësirën ajrore të Egjeut, ku për herë të parë që nga shkurti i vitit 2023, Forcat Ajrore Greke dhe ato Turke u përfshinë në dy përballje të ashpra ajrore brenda pak orësh.

Sipas mediave greke, incidentet ndodhën në zonën mes ishujve Lesbos dhe Kios, një nga pikat më të ndjeshme të Egjeut Lindor. Dy avionë luftarakë turq F-16, të armatosur, hynë në FIR-in e Athinës pa paraqitur plan fluturimi, duke aktivizuar menjëherë mekanizmin e reagimit të Forcave Ajrore Greke.

Avionët grekë u ngritën për identifikimin dhe shoqërimin e tyre, por ndryshe nga rastet e fundit, pilotët turq nuk u tërhoqën pas ndërhyrjes. Për pasojë, u zhvillua një përballje ajrore e ashpër, e njohur si “dogfight”, me manovra të rrezikshme dhe tension të lartë.

Situata u përshkallëzua edhe më tej pak kohë më vonë, kur i njëjti çift avionësh turq u përfshi në një përplasje të dytë ajrore me avionët grekë në të njëjtën zonë. Kjo është hera e parë në më shumë se tre vjet që regjistrohen dy incidente të tilla brenda së njëjtës ditë.

Analistët grekë e konsiderojnë këtë si një sinjal të qartë se Ankaraja po rikthen gradualisht politikën e presionit dhe sfidimit në Egje, pas një periudhe relative qetësie që pas tërmeteve shkatërrimtare të vitit 2023 në Turqi.

Zona mes Lesbosit dhe Kios konsiderohet strategjike, pasi Turqia prej vitesh kundërshton statusin e disa ishujve grekë dhe ngre pretendime mbi hapësirën ajrore dhe çështje të militarizimit të tyre.

Nga ana tjetër, Athina ka reaguar me qetësi, por edhe me vigjilencë të shtuar. Burime ushtarake greke theksojnë se pilotët e Forcave Ajrore Greke iu përgjigjën me profesionalizëm situatës dhe detyruan avionët turq të largoheshin nga zona.

Ngjarja ka rikthyer shqetësimet për një cikël të ri tensionesh në Egje, ndërsa autoritetet greke po vlerësojnë nëse bëhet fjalë për një incident të izoluar apo për fillimin e një strategjie të re presioni nga Ankaraja. Titujt kryesorë në mediat greke flasin tashmë për “fundin e periudhës së qetësisë” dhe rikthimin e sfidave në qiellin e Egjeut.

Latest news

Related news