19.3 C
Athens
E martë, 22 Shtator, 2026

“Kthehu në Shqipëri, je vetëm mysafir!”/ Gazetari grek me origjinë shqiptare sulmohet pas denoncimit të ekstremit të djathtë

Athinë – Një valë komentesh fyese dhe me përmbajtje raciste ka përfshirë rrjetet sociale pas publikimit të një artikulli të gazetarit grek me origjinë shqiptare, Antilian Kotzai, në gazetën greke “Documento”.

Në shkrimin me titull “Kujdes, ideologjia e Agimit të Artë është këtu”, Kotzai ngre shqetësimin për rikthimin e retorikës së ekstremit të djathtë në Greqi dhe për gjuhën e përdorur nga persona të lidhur me qarqe ekstremiste, të cilët kanë bërë thirrje për “çlirimin” e zonave të Athinës nga emigrantët.

Sipas gazetarit, kjo retorikë sjell në kujtesë periudhën kur në Athinë regjistroheshin sulme dhe episode dhune ndaj emigrantëve, në kohën kur Agimi i Artë kishte një prani të fuqishme politike dhe në rrugët e kryeqytetit.

Pas shpërndarjes së artikullit në Facebook, Kotzai thotë se profili i tij u përfshi nga qindra komente fyese dhe raciste. Mesazhet, sipas tij, përfshinin edhe thirrje si “Kthehu në Shqipëri nëse nuk të pëlqen” dhe “Je mysafir në këtë vend, ndaj nuk duhet të flasësh”.

Reagimi i gazetarit ishte i drejtpërdrejtë. Kotzai, i cili është shtetas grek, deklaroi se origjina e tij shqiptare nuk mund të përdoret si argument për t’i mohuar të drejtën për të shprehur opinionin e tij në shoqërinë greke.

“U pëlqen apo jo fashistëve, unë, ashtu si qindra mijëra fëmijë emigrantësh, jemi qytetarë grekë”, është shprehur ai.

Çështja ka marrë edhe një dimension më të gjerë politik. Mbështetësit e gazetarit i kanë cilësuar reagimet si një sulm racist dhe kanë argumentuar se fakti që një shtetas grek sulmohet me thirrje për t’u “kthyer në Shqipëri” vetëm për shkak të prejardhjes së tij është pikërisht një shembull i problemit që ai denoncoi në artikull.

Në analizën e tij, Kotzai i referohet edhe Ilias Kasidiaris, ish-figurës drejtuese të Agimit të Artë, i cili u dënua në procesin gjyqësor ku organizata u konsiderua organizatë kriminale. Gazetari e lidh rikthimin e deklaratave politike të Kasidiaris me shqetësimin se ekstremi i djathtë në Greqi nuk duhet konsideruar një kapitull i mbyllur.

Debati rikthehet në një moment kur në Greqi po diskutohet sërish për praninë dhe ndikimin e qarqeve të ekstremit të djathtë.

Për Antilian Kotzain, mesazhi mbetet i njëjtë: ideologjia e Agimit të Artë nuk duhet nënvlerësuar dhe shoqëria demokratike duhet të jetë vigjilente ndaj çdo forme të racizmit, dhunës dhe gjuhës së urrejtjes.

 

 

 

Latest news

Related news