25.7 C
Athens
E enjte, 4 Qershor, 2026

Krasniqi: Arkivi i ATSH-së thesar për të kuptuar evoluimin e shtetit, shkollë për gazetarët

Historiani dhe studiuesi, Afrim Krasniqi në fjalën e tij në ekspozitën fotografike dhe dokumentare “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” hapur në mjediset e Kalasë së Tiranës, theksoi rëndësinë thelbësore të arkivave në studimin dhe kuptimin e historisë bashkëkohore të Shqipërisë, duke ndarë edhe përvojën e tij kërkimore në burime të ndryshme ndërkombëtare dhe vendase.

Në ceremoninë e mbajtur merrnin pjesë, zv.kryeministrja Albana Koçiu, drejtoresha e përgjithshme e ATSH-së, Valbona Zhupa, Kryetarja e Autoritetit të Mediave Audiovizive, Armela Krasniqi, Zv.drejtori i Përgjithshëm i DPA-së, Endrit Musaj, gazetarë dhe profesionistë të medieve.

“Është kënaqësi të jemi këtu për dy arsye. Së pari, sepse unë mbuloj historinë bashkëkohore dhe atë çfarë e kam kërkuar në shumë arkiva, përfshirë edhe “Zërin e Amerikës” dhe materiale të Shqipërisë për vitin 1991, e gjeta vetëm në ATSH. Nuk e gjeta as në arkivin e “Zërit të Amerikës”, për shkak se Shqipëria nuk përbënte një rëndësi të tillë që të ruheshin në mënyrë të plotë në arkivat amerikane. Kështu që ky është një tregues se memoria në Shqipëri është një element shumë i rëndësishëm dhe një nga borxhet e mëdha që i kemi kulturës shtetërore dhe formimit shtetëror. Është gjithashtu një reflektim se si ne duhet të fokusohemi më shumë aty”, u shpreh Krasniqi.

Sipas tij, shteti nuk duhet kuptuar vetëm përmes institucioneve politike, por përmes kujtesës së tij dokumentare dhe informacionit të prodhuar ndër vite.

“Së dyti, për shkak se shteti nuk janë vetëm politikanët, shteti nuk janë vetëm ligjet, parlamentet dhe qeveritë që shkojnë e vijnë, por është memoria dhe struktura shtetërore e qëndrueshme, dhe elementi i informacionit është jetik për një shtet”, vijoi ai.

Krasniqi nënvizoi se pa dokumente, lajme dhe narrativa të prodhuara nga vetë shteti, nuk mund të kuptohet evolucioni i tij.

“Ne nuk e kuptojmë një shtet, nuk e kuptojmë evoluimin e tij, nuk i kuptojmë gabimet dhe të mirat e tij, nëse nuk njohim dokumentet që ai ka prodhuar, lajmet që ka prodhuar, narrativën që ka ndërtuar dhe raportet që ka hartuar. Dhe ATSH-ja është një arkiv, një thesar në këtë drejtim, pavarësisht periudhave ideologjike dhe problematikave që ka pasur gjatë tranzicionit”, vuri në dukje Krasniqi.

Duke u ndalur te roli i gazetarisë në Shqipëri, Krasniqi vlerësoi se brezat e gazetarëve janë formuar në ATSH, që ka funksionuar si një shkollë praktike e raportimit të shpejtë dhe të përmbledhur, që ka ndikuar në mënyrën e të kuptuarit të realitetit.

“Shumica e atyre që ju njihni si gazetarë aktivë sot në Shqipëri janë produkt i kësaj gazetarie, dhe deri diku është një lloj shkolle shumë teknike që i mëson njerëzit të bëjnë lajme në 20 rreshta dhe ta paraqesin Shqipërinë në të gjitha këndvështrimet e saj kulturore, sportive, jetësore, historike, diplomatike e të tjera”, u shpreh ai.

Sipas Krasniqit, kjo ka krijuar një brez profesionistësh që e shohin lajmin jo si burim pasurimi, por si përmbushje profesionale dhe dëshmi të pjesëmarrjes në kohën e tyre.

“Krijon një lloj brezi që e shikon lajmin jo si një burim pasurimi, por si një kënaqësi profesionale dhe si një profesion që e nderon njeriun, duke thënë që kam pasur mundësi të kontribuoj në këtë periudhë të caktuar ose kam qenë dëshmitar i saj”, shtoi ai.

Historiani po ashtu, ngriti shqetësimin për krizën e informacionit në epokën digjitale.

“Ne jetojmë kohën e internetit, por ata që e studiojnë këtë periudhë e shohin si periudhë të krizës së madhe të lajmit. Teknologjia e re po shkon kundër asaj që ne bëjmë. Nuk gjejmë dokumente shtetërore, nuk gjejmë referime, nuk gjejmë ngjarje që ndodhin përtej nesh, nga jona apo nga bota për ne”, tha Krasniqi.

Krasniqi theksoi nevojën për reflektim dhe për forcimin e arkivave si institucione në funksion të shtetit dhe jo të qeverive të radhës.

“Kjo është një arsye më shumë për të reflektuar dhe për ta përdorur këtë moment si mesazh për autoritetet dhe për radhët e shoqërisë, për ta parë arkivin si strukturë, jo në funksion të qeverive të radhës, por në funksion të shtetit. Për ta parë si investim në fotografi, në lajm, në fonde dhe në marrëdhënie publike”, u shpreh ai.

Krasniqi solli gjithashtu në vëmendje faktin se, pavarësisht zhvillimeve, Shqipëria mbetet një vend me potencial të madh dokumentimi dhe kujtese historike.

“Vetëm vitin e kaluar në Tiranë janë zhvilluar pesë ekspozita dhe është ironi që pesë fotografë të huaj kanë propozuar ekspozita në Shqipëri për mënyrën se si e kanë parë vendin gjatë qëndrimit të tyre këtu. Secili prej nesh i ka këto materiale në aparatet e veta, por ata i kanë të organizuara në mënyrë profesionale”, tha ai.

Sipas tij, përpara se të kërkohet vështrimi i të huajve mbi Shqipërinë, vendi duhet të forcojë dhe të përdorë më mirë arkivat e veta.

“Para se të kërkojmë të huajt për të parë se si e kanë parë Shqipërinë gjatë ditëve që kanë qëndruar këtu, ne duhet t’i hapim arkivat që kemi, t’i përdorim në mënyrë të mirë dhe të edukojmë brezat e rinj”, theksoi Krasniqi.

Ai nënvizoi se historia nuk është humbje kohe për një vend të vogël, por një element thelbësor i kulturës dhe formimit shoqëror.

“Historia me të cilën merremi nuk është një çështje e humbjes së kohës për shkak se një vend i vogël nuk ka shumë histori, por është çështje kulture, formimi dhe reflektimi. Sa më shumë histori dinjitoze të shkruar, të lexuar dhe të përcjellë brez pas brezi, aq më shumë tregon seriozitet shtetëror dhe emocional”, tha ai.

Ekspozita “ATSH – Një rrugëtim në historinë e lajmit shqiptar” sjell një panoramë historike të zhvillimit të informacionit në vend, nga sallat e para të transmetimit në vitet ’20, te radiostacionet, gazetaria tradicionale dhe epoka digjitale, duke theksuar rolin e ATSH-së si një nga institucionet kyçe të dokumentimit dhe shpërndarjes së informacionit në Shqipëri./ATSH/

Latest news

Related news