Në një klimë veçanërisht të hapur dhe konstruktive, u zhvillua sot në ambientet e Autoritetit të Unifikuar Grek për Kontrollin e Ushqimit
– Ενιαίος Φορέας Ελέγχου Τροφίμων një takim pune ndërmjet përfaqësueses së Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Athinë, znj. Joana Zhonga dhe Presidentit të institucionit, Prof. Antonis Zampelas, në praninë e znj. Vasiliki Giannouli, Përgjegjëse e Departamentit të Produkteve të Mishit dhe të Peshkut në Drejtorinë e Sigurisë Ushqimore, si dhe znj. Fotini Tzoumanika, Përgjegjëse e Vlerësimit të Rrezikut dhe Ushqyerjes pranë EFET-it.

Takimi synoi forcimin dhe institucionalizimin e bashkëpunimit ndërmjet Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) të Republikës së Shqipërisë dhe EFET-it të Greqisë, duke reflektuar një qasje të qartë drejt thellimit të dialogut teknik dhe ndërtimit të mekanizmave të qëndrueshëm të bashkëpunimit.
Palët vlerësuan rëndësinë e shkëmbimit të eksperiencave dhe praktikave më të mira, si dhe shprehën gatishmëri të ndërsjellë për vijimin e kontakteve në nivel teknik, përfshirë organizimin e takimeve të ardhshme, vizitave institucionale dhe shqyrtimin e krijimit të një kuadri formal bashkëpunimi nëpërmjet një MoU-je.
Takimi konfirmoi vullnetin e përbashkët për të çuar përpara bashkëpunimin dypalësh dhe për të hapur një fazë të re në marrëdhëniet Shqipëri–Greqi në fushën e sigurisë ushqimore.












