Një incident i pazakontë është raportuar në pikën kufitare të Qafë-Thanës, ku tre zyrtarë të lartë shqiptarë nga Maqedonia e Veriut dyshohet se janë ndaluar gjatë hyrjes në territorin shqiptar.
Bëhet fjalë për Bekim Qokun, Adnan Azizin dhe Hasim Murtezanin, emra të njohur të jetës politike dhe institucionale në Maqedoninë e Veriut.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme, ndërsa rrethanat e ndalimit mbeten ende të paqarta. Sipas informacioneve të përpunuara nga Albania TV, qarkullojnë dy versione mbi arsyet e incidentit.
Sipas njërit version, ndalimi lidhet me masat e marra nga autoritetet shqiptare në kuadër të protestave të zhvilluara në Tiranë. Ndërkohë, një version tjetër thotë se shkak i ndalimit ka qenë dokumentacioni i parregullt i një personi të katërt që udhëtonte në të njëjtin automjet me zyrtarët.
Deri më tani, autoritetet shqiptare nuk kanë dalë me një njoftim zyrtar për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa pritet që në orët në vijim të ketë më shumë informacion.
Albania TV po ndjek zhvillimet dhe do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë një reagim zyrtar nga institucionet kompetente.












