18.6 C
Athens
E martë, 22 Shtator, 2026

Europa e shokuar, Von der Leyen: “Nuk do të lejojmë askënd të hyjë në BE pa respektuar rregullat”

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka reaguar ashpër ndaj krizës së emigracionit në enklavën spanjolle të Ceutës, duke deklaruar se Bashkimi Evropian nuk do të lejojë hyrjen e askujt në territorin e tij pa respektuar rregullat.
“P pamjet që vijnë nga Ceuta janë të papranueshme. Nuk mund të lejojmë askënd të hyjë në Bashkimin Evropian pa respektuar rregullat tona. Kalimet e rrezikshme duhet të ndalen menjëherë, rrjetet e trafikantëve duhet të çmontohen dhe kthimet e emigrantëve duhet të kryhen me shpejtësi, sipas legjislacionit evropian”, u shpreh Von der Leyen në një mesazh të publikuar në rrjetin social X.
Presidentja e Komisionit Evropian bëri të ditur gjithashtu se ka ngarkuar dy komisionerë evropianë për të ndjekur nga afër situatën.
Komisioneri për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme, Magnus Brunner, po bashkëpunon ngushtë me autoritetet spanjolle dhe është i gatshëm të vizitojë zonat më kritike, ndërsa do të koordinojë edhe mbështetjen operacionale të Bashkimit Evropian, përfshirë përmes agjencisë Frontex.
Nga ana tjetër, Komisionerja për Mesdheun, Dubravka Šuica, ka nisur kontakte me autoritetet marokene, me synimin për të forcuar bashkëpunimin mes Bashkimit Evropian dhe Marokut në menaxhimin e flukseve migratore.
Deklarata e Von der Leyen vjen në një moment kur Ceuta po përballet me një nga valët më të mëdha të emigracionit të viteve të fundit, duke e kthyer kufirin jugor të Bashkimit Evropian në një nga pikat më të nxehta të krizës migratore.

Latest news

Related news