30.2 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Drejtësia nuk është pronë e institucioneve. Ajo është pronë e qytetarëve.

KUR NJË RREGULLORE SFIDON KUSHTETUTËN, HESHTJA BËHET BASHKËPËRGJEGJËSI

Nga Avokat Edmond Petraj
Në një Republikë Parlamentare, askush nuk është mbi Kushtetutën. As Qeveria, as Kuvendi, as Prokuroria dhe as Gjykata. Aq më pak një rregullore e brendshme, e cila është vetëm një akt administrativ nënligjor.
Nëse rregullorja e GJKKO-së kufizon në mënyrë të pajustifikuar praninë e medias dhe pengon avokatët në ushtrimin normal të profesionit të tyre, atëherë nuk kemi më të bëjmë vetëm me një çështje organizative. Kemi një debat serioz kushtetues mbi kufijtë e pushtetit gjyqësor.
Rregullorja nuk është ligj. Nuk mund të ndryshojë ligjin. Nuk mund të kufizojë të drejta që Kushtetuta dhe ligji ua garantojnë qytetarëve, medias dhe avokatëve.
Avokati nuk është vizitor në gjykatë. Ai është subjekt kushtetues i procesit të rregullt ligjor. Ligji për profesionin e avokatit e njeh si të pavarur dhe të domosdoshëm për garantimin e së drejtës së mbrojtjes. Çdo kufizim që tejkalon atë që lejon ligji prek vetë thelbin e së drejtës për mbrojtje.
Media nuk është armike e drejtësisë. Ajo është mekanizmi që siguron transparencë dhe llogaridhënie. Një drejtësi që e sheh kamerën, mikrofonin ose gazetarin si kërcënim duhet të pyesë veten nëse problemi është transparenca apo mungesa e besimit që ajo vetë ka krijuar.
Prandaj lind një pyetje që askush nuk duhet ta ketë frikë:
Nga kush ka frikë GJKKO?
Nga gazetari që raporton? Nga qytetari që ndjek procesin? Apo nga avokati që kundërshton me argumente ligjore dhe mbron klientin e tij?
Një institucion që është i bindur për ligjshmërinë dhe paanshmërinë e tij nuk ka arsye të kufizojë transparencën përtej asaj që lejon ligji. Përkundrazi, kontrolli publik është garancia më e madhe e besimit te drejtësia.
Por po aq shqetësuese sa vetë rregullorja është heshtja institucionale.
Pse hesht Ministria e Drejtësisë? A nuk ka detyrimin të ngrejë shqetësime kur lindin dyshime për respektimin e parimeve të shtetit të së drejtës?
Pse hesht Komisioni i Ligjeve? A nuk është detyra e tij të ushtrojë kontroll parlamentar dhe të verifikojë nëse aktet nënligjore respektojnë Kushtetutën dhe ligjin?
Pse nuk ka një debat publik institucional? Në një republikë parlamentare, balanca ndërmjet pushteteve nuk është dekor; është mekanizëm kushtetues për të parandaluar tejkalimin e kompetencave.
Kur një rregullore krijon përshtypjen se kufizon të drejta themelore, përgjigjja nuk duhet të jetë heshtja, por transparenca, debati dhe kontrolli i ligjshmërisë.
Në demokraci nuk është media ajo që duhet të ketë frikë nga gjykata. Nuk është avokati ai që duhet të ndihet i kufizuar në ushtrimin e profesionit. Përkundrazi, është çdo institucion publik ai që duhet të pranojë se veprimtaria e tij kontrollohet nga Kushtetuta, ligji, opinioni publik dhe parimet e shtetit të së drejtës.
Drejtësia nuk humbet autoritet nga kritika. Autoritetin e humbet vetëm kur krijon përshtypjen se kërkon të kufizojë transparencën dhe të dobësojë zërin e mbrojtjes. Në momentin që një rregullore sillet sikur është mbi Kushtetutën dhe mbi ligjin, nuk është më në diskutim vetëm një akt administrativ; vihet në diskutim vetë parimi themelor se në Republikën e Shqipërisë askush nuk është mbi ligjin.
Në fund mbetet një pyetje që prek vetë thelbin e demokracisë: kujt i shërben mungesa e transparencës?
Kur bëhet fjalë për ish-politikanë, ish-ministra, ish-kryetarë bashkish, ish-funksionarë apo ish-zyrtarë të administratës publike që janë paguar për vite me radhë nga taksat e qytetarëve, interesi publik është i padiskutueshëm. Qytetarët kanë të drejtë të informohen se për çfarë veprash penale hetohen ose gjykohen, cilat janë pretendimet e akuzës dhe si zhvillohet procesi gjyqësor, gjithmonë duke respektuar prezumimin e pafajësisë dhe rregullat e një procesi të drejtë.
Transparenca nuk është privilegj i medias dhe as favor i gjykatës. Ajo është një detyrim ndaj qytetarëve, sepse drejtësia administrohet në emër të tyre.
Nëse kufizohet në mënyrë të pajustifikuar informacioni mbi proceset që kanë interes të lartë publik, krijohet terren për dyshime, spekulime dhe mosbesim. Një shtet demokratik nuk forcohet duke fshehur proceset me interes publik; ai forcohet duke garantuar që qytetarët të jenë të informuar dhe që drejtësia të jetë jo vetëm e paanshme, por edhe e dukshme si e tillë.
Drejtësia nuk është pronë e institucioneve. Ajo është pronë e qytetarëve. Dhe kur qytetarëve u kufizohet e drejta për të ditur se si po jepet drejtësia në çështje me interes të madh publik, atëherë nuk dobësohet media apo avokati; dobësohet vetë besimi te shteti i së drejtës.

Latest news

Related news