26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Diskriminim i hapur? Studentja shqiptare rrëfen si iu mohua praktika në institucionet greke!

Kam studiuar Shkenca Politike dhe Administratë Publike në Universitetin Kombëtar dhe Kapodistrian të Athinës. Kam punuar shumë për të kaluar provimet kombëtare të pranimit dhe edhe më shumë për t’i përfunduar studimet me rezultate të larta.

Kur erdhi koha për praktikën profesionale, zgjodha Parlamentin Grek. Kishte vetëm dy vende të lira dhe falë rezultateve të mia të larta në lëndët përkatëse, u përzgjodha. Kur pashë emrin tim mes dy të përzgjedhurve, ndjeva një gëzim të papërshkrueshëm. Ishte shpërblimi për gjithë mundin tim.

Përfundova të gjitha procedurat e nevojshme, derisa mora një telefonatë. Më pyetën nëse kisha pasaportë shqiptare. U përgjigja sinqerisht se po. Atëherë më thanë se, për fat të keq, nuk mund ta zhvilloja praktikën në Parlament për shkak të shtetësisë sime. Më propozuan si alternativë Ministrinë e Jashtme dhe e pranova pa u menduar dy herë.

Pak më vonë mora edhe një telefonatë të dytë. Më njoftuan se, në fund, nuk mund ta zhvilloja praktikën as atje, sërish për shkak të pasaportës sime shqiptare.

Nuk më refuzuan sepse nuk kisha nota të mira. Nuk më refuzuan sepse nuk isha përpjekur mjaftueshëm. Më refuzuan për shkak të pasaportës që mbaja.

Atë ditë qava. Ndjeva zhgënjim, padrejtësi dhe një peshë të madhe brenda vetes. Ndjeva se, sado të përpiqesha, do të kishte gjithmonë dyer që do të mbeteshin të mbyllura për mua, për një arsye që nuk kishte asnjë lidhje me aftësitë e mia.

Kjo përvojë më bëri të rishqyrtoja shumë gjëra. Ishte një nga momentet që më shtynë më vonë të vendosja të largohesha jashtë vendit. Doja të jetoja në një vend ku të vlerësohesha për atë që jam, për atë që di dhe për atë që mund të ofroj – jo për pasaportën që mbaj në xhep.

Latest news

Related news