Analisti Aleksandër Çipa deklaroi në emisionin “Review” me Greta Topjanën se protestat e ditëve të fundit lidhen me një përplasje të fortë mes qytetarëve dhe pushtetit.
Sipas tij, reagimi publik mori hov pas publikimit të pamjeve nga Zvërneci, ku u panë gardhe dhe tela me gjemba të vendosura në bregdet.
Duke iu referuar edhe incidentit ku një qytetar u tërhoq zvarrë nga persona të maskuar në prani të Policisë së Shtetit, Çipa tha se këto ngjarje nxorën në pah pabarazinë mes shtetit dhe qytetarit të zakonshëm.
“Reagimi publik u ndez kur rrjetet sociale transmetuan pamjet e gardheve dhe telave me gjemba në det, në Zvërnec. Më pas erdhi edhe imazhi i tërheqjes zvarrë të një qytetari që pretendonte se po i merrej prona, në sy të Policisë së Shtetit. Këto nuk janë ngjarje të vogla, sepse aty kuptohet diferenca mes shtetit dhe individit të pambrojtur”, u shpreh ai.
Sipas analistit, çështja e Zvërnecit ka tejkaluar debatin për pronësinë e tokës dhe është kthyer në një debat më të gjerë mbi pronësimin e natyrës.
“Në atë moment u përhap lajmi se paska shqiptarë latifondistë me 200, 400 apo edhe 4000 hektarë. Aty doli në pah ajo që mund të quhet afera më e madhe e postkomunizmit në Shqipëri: pronësimi i natyrës. Ajo që ndodhi në Zvërnec nuk ishte thjesht pronësimi i një territori, por pronësimi i vetë natyrës”, tha Çipa.
Ai theksoi se hapësira mes detit dhe tokës ka qenë tradicionalisht pasuri e përbashkët dhe se qytetarët reaguan kur panë se edhe këto zona po trajtoheshin si prona private.
“Që nga zanafilla, hapësira mes dallgës së detit dhe tokës nuk ka qenë e pronësuar. Befas, në vitin 2026, doli se ka shqiptarë që pronësojnë edhe dallgën, edhe rërën, duke vendosur tela me gjemba përballë detit. Kjo ndezi reagimin që po shohim sot dhe është një çështje që nuk duhet injoruar”, përfundoi ai.












