26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Alarmi nga zjarret/ 29 persona të arrestuar dhe proceduar në më pak se një muaj, Policia: Mos ndizni zjarr në asnjë rrethanë

Policia e Shtetit ka intensifikuar kontrollet dhe hetimet për parandalimin e zjarrvënieve në të gjithë vendin, ndërsa bilanci i javëve të fundit mbetet shqetësues. Gjatë muajit qershor dhe dy javëve të para të korrikut 2026, 29 persona janë arrestuar ose proceduar penalisht, të dyshuar si autorë të zjarrvënieve që kanë shkaktuar dëme në sipërfaqe toke, bimësi, pemëtari dhe kullota.

Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, Policia identifikoi tre autorë të dyshuar të zjarreve në Kavajë, Vorë dhe Mallakastër, ku dy prej tyre u arrestuan në flagrancë, ndërsa një tjetër u procedua në gjendje të lirë.

Kavajë, u arrestua shtetasi S. Ç., 51 vjeç, banues në fshatin Sterbeg, pasi zjarri që kishte ndezur në tokën e tij u përhap, duke djegur kullota dhe rreth 300 pemë agrumesh dhe ullinjsh.

Vorë, në pranga përfundoi shtetasi A. D., 43 vjeç, banues në fshatin Gjokaj, pasi zjarri që dyshohet se ndezi në një pronë të një shtetasi tjetër dogji një sipërfaqe toke të mbjellë me pemë frutore.

Ndërsa në Mallakastër, nisi procedimi penal ndaj shtetasit O. B., 39 vjeç, pasi gjatë tërheqjes së një automjeti të aksidentuar me karrotrec, shkëndijat elektrike të krijuara dyshohet se shkaktuan një zjarr që dogji dhjetëra pemë arre në fshatin Romës.

Materialet procedurale i janë referuar prokurorive përkatëse për veprime të mëtejshme.

Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve, fermerëve dhe pronarëve të tokave bujqësore apo kullotave që të mos ndezin zjarr në asnjë rrethanë, duke kujtuar se djegia e mbetjeve bujqësore është një praktikë e rrezikshme dhe e dënueshme me ligj.

Autoritetet apelojnë gjithashtu që çdo rast i dyshuar për zjarrvënie të denoncohet menjëherë, duke garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm për vënien para drejtësisë të autorëve.

Latest news

Related news