Nuk kanë fund paradokset në Greqi, e sidomos kur në qendër të tyre ndodhen shqiptarët.
Një ngjarje që do të dukej si skenar komedie, por që është reale, ndodhi pak ditë më parë në zonën e Konicës. Autoritetet greke organizuan një megaoperacion policor për arrestimin e dy shqiptarëve, “faji” i të cilëve ishte se kishin mbledhur një sasi të konsiderueshme… çaji mali.
Për lokalizimin dhe ndalimin e tyre u mobilizuan forca speciale, mjete ajrore, dronë dhe një koordinim i gjerë policor nga Athina, Janina, Larisa dhe Patra. Pas një operacioni që të krijonte përshtypjen se po ndiqej një grup kriminal i armatosur, dy shqiptarët u arrestuan në flagrancë.


“Prova” kryesore? Thasë me çaj mali (Sideritis), një bimë aromatike me veti të njohura kuruese, që rritet natyrshëm në zonat malore dhe mbrohet nga legjislacioni mjedisor.
Nëse do të besoje mënyrën se si u paraqit operacioni, do të mendoje se ishte neutralizuar një organizatë ndërkombëtare që kërcënonte sigurinë kombëtare.
Natyrisht, ligji duhet respektuar dhe mbrojtja e florës është e rëndësishme. Por përdorimi i një aparati kaq të madh policor, me forca speciale, dronë dhe helikopterë për dy persona që mblidhnin çaj mali, ngre pyetje të arsyeshme mbi proporcionalitetin e reagimit.
Ironia e historisë është se, sipas “logjikës” së këtij superoperacioni, dy shqiptarët rezultonin një rrezik serioz për biodiversitetin, botanikën, faunën… madje edhe për “mbretërinë” e çajit të malit. Ndoshta, po të arrinte çaji në Shqipëri, shqiptarët do të bëheshin më të shëndetshëm, më inteligjentë dhe kjo do të përbënte një kërcënim të ri strategjik!
Ndërkohë, mediat greke e ndoqën operacionin hap pas hapi, duke i kushtuar një vëmendje të jashtëzakonshme ngjarjes.
Dy shqiptarët u arrestuan dhe dosja iu referua Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Shënim: Ky shkrim është shkruar me nota të forta ironie dhe sarkazme, sepse vetëm kështu mund të përshkruhet një ngjarje që për shumëkënd duket absurde. Satira nuk synon të vërë në diskutim rëndësinë e mbrojtjes së mjedisit apo zbatimin e ligjit, por ngre pikëpyetje mbi proporcionalitetin e reagimit dhe mënyrën se si një ngjarje e tillë u trajtua nga autoritetet dhe mediat.












