KUR PËRÇARJA KËRCËNON BASHKËJETESËN
A mund të qëndrojë një shoqëri indiferente kur idetë e përjashtimit, intolerancës dhe urrejtjes fitojnë gjithnjë e më shumë hapësirë?
Kjo ishte një nga pyetjet që u ngrit në diskutimin me temë “Ngritja e së djathtës ekstreme”, një aktivitet i organizuar nga “Simeio”, me pjesëmarrjen e figurave të njohura të jetës politike, akademike dhe shoqërore në Greqi. Mes tyre, kryetari i Bashkisë së Athinës, Haris Dukas, studiuesja Danae Kolçida, akademikja Kristina Kulluri, Theodota Nancu, Aleksis Haricitis dhe moderatori i diskutimit, Kostis Papaioanu.
Nga Brazili dhe Shtetet e Bashkuara, deri në Evropë, diskutimi u përqendrua te forcimi i forcave dhe ideve të së djathtës ekstreme dhe te pasojat që ato mund të kenë për demokracinë, të drejtat dhe bashkëjetesën shoqërore.
Por për ne, që jetojmë këtu, kjo temë ka edhe një dimension tjetër. Sepse komunitetet e emigrantëve janë pjesë e shoqërisë ku jetojnë. Dhe çdo ndryshim në klimën sociale, çdo gjuhë që ndan njerëzit në “ne” dhe “ata”, çdo ide që ushqen përjashtimin, nuk mbetet vetëm një debat politik. Na prek edhe Ne.
Shqiptarët në Greqi janë sot pjesë e kësaj shoqërie. Kemi ndërtuar familjet tona, kemi punuar, kemi rritur fëmijët dhe kemi kontribuar në qytetet ku jetojmë. Prandaj, diskutime të tilla nuk duhet t’i shohim vetëm nga larg. Sepse demokracia, respekti dhe bashkëjetesa nuk janë të garantuara një herë e përgjithmonë.
Ato kërkojnë vëmendje, dialog dhe mbi të gjitha, njerëz që refuzojnë të qëndrojnë indiferentë.
“Nuk mund të qëndrojmë indiferentë.”
“Emigrantët janë pjesë e shoqërisë ku jetojnë.”
“Të mos lejojmë që ‘ne’ dhe ‘ata’ të na ndajnë.”












