Numri i lartë i personave që mbahen në paraburgim në Shqipëri është një nga arsyet kryesore që ka nxitur ndryshimet e në Kodin e Procedurës Penale, të cilat u prezantuan sot nga ministri i Drejtësisë Toni Gogu dhe kryeministri Edi Rama. Më shumë se gjysma e atyre që qëndrojnë në paraburgim, janë ende në pritje të një vendimi. Një problem në fakt i trashëguar ndër vite. Pikërisht për këtë kryeministri Rama e quajti këtë nismë si një sfidë dhe kulturore. Paketa e prezantuar sot, saktësoi ai më tej, nuk prek shtyllat e reformës në Drejtësi, por forcon kontrollin e gjykatave mbi mënyrën se si prokurori ushtron kompetencat e veta.

 

 

Në Janar të vitit 2025 raporti i të paraburgosurve me popullatën e burgjeve, në vendet e Bashkimit europian ishte në një mesatare prej 26 përqind. Vende të veçantë e kishin këtë raport shumë më të ulët, deri dhe 7 përqind si në rastin e Bullgarisë. Shqipëria mban një rekord prej 62 përqind, për të njëjtën periudhë. Kryeministri Edi Rama tha se nuk pranojnë që vendi ynë të krahasohet me Rusinë, të cilën e cilësoi “atdheun e represionit”, ku sipas tij të paraburgosurit përbëjnë 30% të popullsisë së burgjeve, më pak se gjysma e nivelit të Shqipërisë.

“Në Shqipëri, peshorja e drejtësisë anon shumë dukshëm nga pesha represive e shtetit. Edhe sot, po të pyesësh një model të inteligjencës artificiale se cili vend mban barrën më të rëndë të paraburgimit ndër sistemet e të gjithë kontinentit europian, përgjigjja vjen shumë e hidhur: Albania. Raporti më i fundit i Këshillit të Europës për gjendjen më 31 janar 2025 tregon se 62% e njerëzve në burgjet shqiptare janë të paraburgosur. Pra, mbahen në burg për atë që akuzohen, jo për ndonjë dënim që kanë marrë. Mesatarja europiane e të paraburgosurve në po atë datë ishte 26%, ose, ndryshe, Shqipëria ishte më shumë se dy herë më keq krahasuar me mbarë Europën.