30.2 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

“Shyqyr që janë shqiptarët!” – Ministri grek vlerëson hapur kontributin e emigrantëve në Greqi

“Fatmirësisht që janë shqiptarët, në shumë zona të vendit tonë”. Kështu është shprehur ish Ministri i Emigracionit dhe Azlit  dhedeputeti i Demokracisë së Re, Dimitris Kairidis, duke folur për nevojën që ka sot ekonomia greke për profesionistë dhe zejtarë të kualifikuar.

Gjatë një interviste në ERTnews Radio 105.8, Kairidis foli për zgjedhjet profesionale të të rinjve në një kohë kur Inteligjenca Artificiale po ndryshon me shpejtësi tregun e punës. Sipas tij, të rinjtë duhet të zgjedhin një profesion që e duan dhe për të cilin kanë pasion.

Por, duke folur për tregun e punës, deputeti grek vuri theksin edhe te profesionet teknike, të cilat sipas tij janë nënvlerësuar për shumë vite në Greqi.

“Si vend, duhet të forcojmë si profesionet teknologjike, ashtu edhe profesionet teknike, të cilat i kemi nënvlerësuar kaq shumë”, tha ai.

Më pas, Kairidis bëri një deklaratë që tërhoqi vëmendje të veçantë, duke iu referuar drejtpërdrejt komunitetit shqiptar në Greqi.

“Duke folur hapur, edhe nëse mund të tingëllojë paksa ndryshe, e kam parë në shumë zona të vendit: fatmirësisht që janë shqiptarët, ata me origjinë shqiptare, të cilët janë hidraulikë, marangozë, zdrukthëtarë dhe zejtarë që na nevojiten që ekonomia jonë të funksionojë”, u shpreh ai.

Gjatë bisedës, gazetari Makis Pollatos i kujtoi se shumë prej këtyre emigrantëve tashmë janë shtetas grekë. Kairidis e pranoi këtë fakt dhe e cilësoi integrimin e shqiptarëve në shoqërinë greke si një histori të suksesshme.

“Shumë prej tyre janë bërë shtetas grekë dhe bravo”, deklaroi deputeti.

Ai shtoi se komuniteti shqiptar përbën një shembull të rëndësishëm të integrimit në Greqi, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe gjuhësor e kulturor.

“Ne kemi një sukses të madh me shqiptarët që erdhën këtu, të cilët vërtet u integruan, si në aspektin gjuhësor, ashtu edhe në atë kulturor”, tha Kairidis.

Në fund, deputeti grek ngriti edhe një pyetje retorike, duke vënë në dukje shkallën e integrimit të komunitetit shqiptar në shoqërinë greke:

“Nëse nuk mund t’i integrojmë shqiptarët, kë mund të integrojmë tjetër?”

Deklaratat e tij vijnë në një kohë kur Greqia përballet me mungesë të fuqisë punëtore në shumë profesione teknike dhe kur kontributi i emigrantëve, veçanërisht i komunitetit shqiptar, është bërë pjesë e rëndësishme e ekonomisë dhe jetës së përditshme të vendit.

Latest news

Related news