Marrëdhëniet greko-turke hyjnë në një tjetër fazë tensioni, pasi Athina ka reaguar zyrtarisht ndaj vendimit të Ankarasë për shpalljen e dy zonave detare si “parqe kombëtare” në Egje dhe Mesdheun Lindor.
Ministria e Jashtme greke i ka dërguar Ankarasë një notë verbale, duke kundërshtuar në mënyrë kategorike vendimet turke. Sipas qëndrimit të Athinës, vendimet e miratuara nga Turqia nuk prodhojnë pasoja juridike dhe nuk mund të krijojnë të drejta apo fakte të reja në zona përtej kufijve të juridiksionit turk.
Në qendër të përplasjes janë dy zona të shpallura nga Turqia si të mbrojtura: njëra në Egjeun Verior, në hapësirën mes Samothrakës dhe Limnos, dhe tjetra në Egjeun Jugor, pranë Kastelorizos. Athina argumenton se këto zona shtrihen përtej ujërave territoriale turke prej gjashtë miljesh dhe prekin hapësira detare për të cilat Greqia kundërshton çdo pretendim turk për juridiksion.
Për palën greke, çështja nuk është thjesht mjedisore. Athina e sheh lëvizjen e Ankarasë si pjesë të një strategjie më të gjerë në Egje, duke e lidhur atë me doktrinën turke të “Atdheut Blu” dhe me përpjekjet për të zgjeruar, sipas saj, praninë dhe pretendimet turke në hapësirat detare të rajonit.
Në të njëjtën kohë, Greqia po avancon planet e saj për krijimin e parqeve detare në zonat që i konsideron pjesë të juridiksionit të saj. Për këtë arsye, vendimi turk shihet në Athinë edhe si një kundërpërgjigje ndaj iniciativave greke për mbrojtjen e mjedisit detar.
Diplomacia greke duket se nuk synon ta mbyllë çështjen vetëm me një shkëmbim notash. Sipas burimeve diplomatike të cituara nga mediat greke, Athina po shqyrton edhe hapa të mëtejshëm në nivel ndërkombëtar, përfshirë informimin dhe ndërmarrjen e veprimeve pranë organizatave ndërkombëtare.
Në një kohë kur të dyja vendet përpiqen të ruajnë kanalet e dialogut dhe të shmangin përshkallëzimet, çështja e parqeve detare po rikthen në sipërfaqe një prej mosmarrëveshjeve më të ndjeshme të marrëdhënieve greko-turke: kufijtë e juridiksionit dhe pretendimet mbi hapësirat detare të Egjeut.












