Një ngjarje e rëndë ka tronditur pasditen e sotme qytetin e Korçës, ku një i ri është vrarë me armë zjarri.
Sipas informacioneve paraprake, viktima është identifikuar si Joan Zhuko, pjesëtar i Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Ndërkohë, autori i dyshuar është identifikuar si Kristjan Sterjo.
Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se autori dyshohet se e ka ndjekur viktimën për një distancë të konsiderueshme. I riu, në përpjekje për t’i shpëtuar sulmit, është futur në një pallat, ku dyshohet se është qëlluar me breshëri automatiku.
Burime paraprake flasin për rreth 20 plumba, ndërsa rrethanat dhe motivi i ngjarjes mbeten ende të paqarta. Sipas dëshmive të para, viktima dhe autori dyshohet se njiheshin me njëri-tjetrin.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë forcat e Policisë, ndërsa qyteti është vënë në një situatë të shtuar kontrolli për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar.
Nga Tirana raportohet se janë nisur edhe forcat speciale RENEA, të cilat po angazhohen në kërkimet për autorin. Sipas informacioneve paraprake, kontrollet janë përqendruar edhe në zona të ndryshme të qytetit, përfshirë varrezat dhe banesën e të dyshuarit.
Shefi i Krimeve në Korçë, në një deklaratë për mediat, ka konfirmuar se në vendngjarje është gjetur edhe një thikë, e cila është sekuestruar si pjesë e hetimeve.
Qytetarët e pranishëm në zonë kanë përshkruar momentet e ngjarjes si tronditëse, ndërsa policia vijon kontrollet dhe hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave.
Ngjarja është ende në zhvillim. Policia vijon punën për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar, ndërsa pritet një njoftim zyrtar për motivin dhe dinamikën e plotë të vrasjes.












