Shumë bashkëatdhetarë, të cilët prej më shumë se tre dekadash jetojnë dhe punojnë rregullisht në Greqi me leje qëndrimi, ndodhen sot në fazën përfundimtare të integrimit të tyre në shoqërinë greke: fitimin e nënshtetësisë greke me natyralizim.
Që nga viti 2021, bënë me dije Albana Tv, procedura për marrjen e nënshtetësisë ka ndryshuar. Në shumicën e rasteve, aplikantët duhet të kalojnë me sukses Provimin e Njohurive për Fitimin e Nënshtetësisë (PEGP), i cili përfshin njohuritë e gjuhës greke, historisë, kulturës, gjeografisë dhe funksionimit të institucioneve të shtetit grek, si dhe të plotësojnë kriteret e tjera ligjore.
Megjithatë, përpara se të filloni përgatitjet për provimin, është shumë e rëndësishme të kontrolloni nëse bëni pjesë në kategoritë që përjashtohen nga detyrimi për ta dhënë atë.
Nuk keni nevojë të jepni Provimin e Nënshtetësisë Greke nëse plotësoni të paktën një nga kushtet e mëposhtme:
- Jeni homogjen (me origjinë greke).
- Keni përfunduar në Greqi:
- 6 klasat e Shkollës Fillore dhe
- 3 klasat e Gjimnazit,
pra gjithsej 9 vite shkollim.
- Keni përfunduar në Greqi:
- 3 klasat e Gjimnazit dhe
- 3 klasat e Liceut,
pra gjithsej 6 vite shkollim.
- Keni një diplomë Bachelor, Master ose Doktoraturë në gjuhën greke nga një universitet grek ose nga një ish-TEI.
Kujdes!
- Diplomat e marra në IEK dhe SAEK nuk njihen si kriter për përjashtimin nga provimi.
- Mjafton të plotësoni vetëm një nga kushtet e mësipërme për të mos qenë të detyruar të jepni provimin.
Të gjithë aplikantët e tjerë duhet të marrin pjesë në provimin e radhës, i cili do të zhvillohet të dielën, më 15 nëntor 2026.
Albania Tv bënë me dije se një tjetër kriter me rëndësi të veçantë është ai i të ardhurave. Pavarësisht se ekziston një vendim gjykate që ka krijuar një praktikë të re ligjore, shumë bashkëatdhetarëve vazhdojnë t’u refuzohen kërkesat për natyralizim për shkak se autoritetet vlerësojnë se nuk plotësojnë kriterin ekonomik.
Për këtë arsye, përpara se të dorëzoni aplikimin, është e këshillueshme të verifikoni me kujdes nëse plotësoni të gjitha kushtet ligjore, në mënyrë që të shmangni refuzimin e kërkesës dhe kostot e panevojshme.












