26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Greqia përshpejton rinovimin e lejeve të qëndrimit, por ashpërson masat ndaj emigrantëve të paligjshëm

ATHINË – Procesi i pajisjes me leje qëndrimi për emigrantët në Greqi vijon të mbetet problematik, pavarësisht se autoritetet kanë përshpejtuar shqyrtimin e një pjese të aplikimeve.

Megjithëse vihet re një ulje e afateve të pritjes për rinovimin e lejeve të qëndrimit, ky përshpejtim nuk përfshin të gjitha kategoritë e emigrantëve. Aktualisht, prioritet po u jepet vetëm disa kategorive të caktuara, ndërsa shumë aplikime të tjera vazhdojnë të mbeten në pritje.

Një tjetër problem serioz lidhet me mënyrën e shqyrtimit të dosjeve familjare. Edhe kur një kryefamiljar ka nën varësi bashkëshorten dhe fëmijët, aplikimet nuk trajtohen si një dosje e vetme, por shqyrtohen veçmas. Si pasojë, anëtarët e së njëjtës familje marrin lejet e qëndrimit në periudha të ndryshme, duke krijuar pasiguri dhe vështirësi në jetën e tyre të përditshme.

Ndërkohë, aplikimet fillestare për leje qëndrimi duket se kanë kaluar në plan të dytë, pasi administrata po fokusohet kryesisht në rinovimin e lejeve ekzistuese për kategoritë që konsiderohen prioritare.

Edhe më e vështirë mbetet situata për emigrantët që ndodhen pa dokumente të rregullta ose që nuk kanë arritur të pajisen me leje qëndrimi. Për këtë kategori nuk ka ende asnjë sinjal pozitiv apo zgjidhje konkrete nga autoritetet greke.

Në të njëjtën kohë, qeveria greke ka ashpërsuar ndjeshëm politikën ndaj emigracionit të paligjshëm. Sipas legjislacionit në fuqi, një emigrant pa dokumente, nëse ndalohet nga policia, përballet me pasoja të rënda ligjore, duke përfshirë burgim nga 3 deri në 5 vjet, procedurat e deportimit dhe ndalimin e hyrjes në Greqi dhe në zonën Schengen për disa vite, në varësi të rastit dhe vendimit të autoriteteve.

Kjo situatë ka krijuar një klimë të fortë pasigurie mes komunitetit emigrant në Greqi. Shumë prej tyre ndjekin me shqetësim zhvillimet e fundit, ndërsa vonesat në procedurat administrative dhe masat gjithnjë e më të rrepta ndaj emigracionit të paligjshëm po e bëjnë edhe më të vështirë jetën dhe integrimin e tyre në vend.

Latest news

Related news