26.6 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Greqia hap aplikimet për provimin e shtetësisë greke, ja datat dhe kushtet

ATHINË – Sekretariati i Përgjithshëm për Shtetësinë në Greqi ka njoftuar hapjen e aplikimeve për pjesëmarrjen në provimin për marrjen e Certifikatës së Njohurive për Natyralizim (Π.Ε.Γ.Π.), një nga kushtet kryesore për fitimin e shtetësisë greke.

Provimi do të zhvillohet më 15 nëntor 2026, ndërsa aplikimet do të pranohen:

  • Hapja e aplikimeve: 15 korrik 2026, ora 17:00
  • Mbyllja e aplikimeve: 10 shtator 2026, ora 15:00

Kush ka të drejtë të aplikojë?

Të drejtë pjesëmarrjeje kanë të gjithë shtetasit e huaj që jetojnë ligjërisht dhe në mënyrë të përhershme në Greqi dhe dëshirojnë të fitojnë shtetësinë greke përmes procedurës së natyralizimit.

Si bëhet aplikimi?

Aplikimi kryhet vetëm online, duke përdorur kodet personale Taxisnet. Para aplikimit, kandidatët duhet të regjistrohen në Regjistrin Kombëtar të Komunikimit, në mënyrë që të verifikohen automatikisht të dhënat e tyre personale dhe të banimit.

Dokumentet e nevojshme

Kandidatët duhet të paraqesin:

  • Pagesën e tarifës prej 150 euro (me përjashtime për kategori të caktuara);
  • Kopjen e pasaportës ose dokumentit të udhëtimit;
  • Lejen e qëndrimit në fuqi ose vërtetimin elektronik të rinovimit;
  • Një fotografi të tipit pasaportë;
  • Për kandidatët që i nënshtrohen provimit me gojë, certifikatën përkatëse të aftësisë së kufizuar ose të vështirësive në të nxënë.

Po ashtu, autoritetet kanë publikuar edhe Bankën e Pyetjeve, nga e cila do të përzgjidhen pyetjet e provimit.

Ky provim është hapi i parë dhe më i rëndësishëm për të gjithë emigrantët që synojnë të marrin shtetësinë greke.

Albania TV

Latest news

Related news