Qeveria shqiptare prezantoi këtë të premte programin “Rilindja Urbane 2.0”, një paketë të re investimesh që synon transformimin e qyteteve dhe bashkive përmes projekteve në infrastrukturë, turizëm, teknologji, mjedis dhe zhvillim ekonomik lokal.
Ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Ervin Demo, e cilësoi programin si një fazë të re të zhvillimit urban, duke theksuar se ai nuk kufizohet vetëm te investimet publike, por synon të krijojë një model të ri bashkëpunimi mes qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor.
“Rilindja Urbane 2.0 është shumë më tepër se një program investimesh. Ajo shënon një nivel të ri bashkëpunimi për t’iu përgjigjur sfidave strukturore të 35 viteve të fundit dhe për të krijuar bazat e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm”, deklaroi Demo.
Sipas ministrit, programi mbështetet mbi 11 shtylla kryesore, të cilat synojnë modernizimin e shërbimeve publike dhe rritjen e cilësisë së jetës në të gjitha bashkitë e vendit.
11 prioritetet e “Rilindjes Urbane 2.0”
- 70 muze të rinj të identitetit lokal do të ndërtohen brenda tre viteve, ndërsa do të mbështeten edhe muze privatë që promovojnë historinë dhe traditat shqiptare.
- Sistem modern parkimesh, me instrumente të reja ligjore që do t’u japin bashkive mundësi të krijojnë të ardhura për investime të tjera.
- Rigjenerimi i zonave ish-industriale, ku 448 objekte të braktisura pritet të kthehen në qendra biznesi dhe zhvillimi ekonomik.
- Godina publike moderne, me fokus te rikonstruksioni i shkollave, kopshteve dhe çerdheve. Sipas të dhënave, 86% e tyre kanë nevojë për ndërhyrje.
- Mbështetje për startup-et, me fondin e inovacionit të dyfishuar në 6 milionë euro dhe ngritjen e qendrave të reja të inovacionit.
- Përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve, për qytete më të pastra dhe standarde më të larta mjedisore.
- Transport publik i gjelbër, me një fond prej 13 milionë eurosh, ku bashkitë do të kenë mundësi të krijojnë kompani transporti me mjete ekologjike.
- Ujë 24 orë dhe trajtim i ujërave të ndotura, si një nga prioritetet kryesore të programit.
- 20 milionë euro për infrastrukturën rurale, financuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe projekte shtesë me vlerë 94 milionë euro.
- “Smart Cities”, me zgjerimin e teknologjisë në transport, siguri, menaxhim trafiku, parkime dhe monitorim të mbetjeve.
- Bashkitë sipërmarrëse, me objektivin për krijimin e 20 ndërmarrjeve të përbashkëta vendore deri në vitin 2027, duke i kthyer bashkitë në aktorë aktivë të zhvillimit ekonomik.
Në përfundim, ministri Ervin Demo theksoi se “Rilindja Urbane 2.0” synon t’u japë bashkive më shumë autonomi financiare dhe instrumente zhvillimi, me qëllim përmirësimin e shërbimeve publike dhe nxitjen e ekonomisë lokale në të gjithë vendin.












