25.2 C
Athens
E hënë, 21 Shtator, 2026

Artikulli që ndezi debat në Greqi: Shqipëria nuk është vetëm Himara dhe minoriteti grek

Nëse do të dëgjonim politikanët grekë, do të mendonim ende se zhvillimet në Shqipëri janë çështje e marrëdhënieve greko-shqiptare dhe e të drejtave të minoritetit.

Që nga fundi i majit kanë shpërthyer në Shqipëri mobilizime masive, të cilat lidhen – dhe njëkohësisht e thellojnë – krizën e legjitimitetit të sistemit politik shqiptar, pakënaqësinë e shqiptarëve dhe shqiptareve me mënyrën se si menaxhohen dhe mbishfrytëzohen burimet natyrore dhe toka në kuadrin e një regjimi pronësor post-socialist jo transparent, si edhe zemërimin ndaj modelit mbizotërues të zhvillimit të vendit, i cili po çon në një shpërndarje gjithnjë e më të pabarabartë të të ardhurave dhe pasurisë.

Nëse këto protesta shihen në një perspektivë afatgjatë, ato përbëjnë vetëm një episod të konfliktit të gjatë mes shoqërisë shqiptare dhe kapitalit të madh – vendas dhe të huaj – mbi pyetjen se kush ka të drejtën e qasjes, përdorimit, shfrytëzimit dhe kontrollit të burimeve natyrore dhe tokës. Nga ana e tij, shteti shqiptar luan një rol vendimtar, pasi përmes licencimeve, investimeve strategjike dhe mekanizmave të tij shtypës, vepron si ndërmjetësi kryesor mes pushtetit politik, interesave ekonomike dhe komuniteteve lokale.

Ajo që i dallon protestat e fundit është, së pari, pjesëmarrja e tyre e paprecedentë; së dyti, mungesa e një udhëheqjeje të njohur ose e një programi të caktuar; dhe së treti, fakti se ato janë po aq konfliktuale me qeverinë sa edhe me opozitën kryesore. Bëhet fjalë për një lëvizje shumëpërfshirëse, ku marrin pjesë organizata mjedisore, komunitete lokale, të rinj, anëtarë të diasporës, organizata politike të majta, liberale, nacionaliste dhe konservatore, komuniteti LGBTI+, si edhe organizata fetare.

Me fjalë të tjera, megjithëse është përhapur ideja se “Revolucioni i Flamingove” është një lëvizje proteste kundër dy projekteve konkrete të investimit të Jared Kushner, dhëndrit të Donald Trump, në Zvërnec dhe Sazan, mobilizimet i tejkalojnë shumë reagimet kundër çdo projekti të veçantë investimi.

Shoqëria shqiptare ndodhet në një nga ato momente të rralla të historisë, për të cilat historianët e së ardhmes ndoshta do të shkruajnë shumë. Në një nga ato çaste kur e ardhmja pushon së qeni një vazhdim i thjeshtë i së tashmes dhe shndërrohet sërish në një fushë mundësish të vërteta politike. Shqiptarët dhe shqiptaret e ngritur në protestë, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, duken të vendosur të krijojnë kushtet e nevojshme për lidhjen e një kontrate të re shoqërore – kontratën shoqërore të “Shqipërisë së Re”, siç brohorasin karakteristikisht.

Nëse do t’ia dalin, mbetet natyrisht një pyetje e hapur. Përbërja e larmishme e lëvizjes dhe mungesa e vetëdijshme e një udhëheqjeje të njohur përbëjnë njëkohësisht forcën dhe dobësinë e saj më të madhe. Nga njëra anë, ato e bëjnë të vështirë që qeveria ta izolojë ose ta përvetësojë lëvizjen duke goditur figura të caktuara. Nga ana tjetër, e bëjnë shumë më të vështirë ndërtimin e një strategjie të përbashkët dhe, mbi të gjitha, kalimin nga protesta shoqërore në një formë të re përfaqësimi politik. Historia është plot me lëvizje që tronditën shoqëritë e tyre pa arritur kurrë të shprehen politikisht, por edhe me lëvizje që pikërisht në momente të tilla lindën forca të reja politike.

Pikërisht këtu qëndron sfida më e madhe e “Revolucionit të Flamingove”. Protestat kanë nxjerrë tashmë në pah me një qartësi të paprecedentë boshllëkun e përfaqësimit politik që duket se ekziston në shoqërinë shqiptare. Nëse ato do të arrijnë ta mbushin vetë këtë boshllëk, apo do të krijojnë kushtet për shfaqjen e subjekteve të reja politike dhe të një alternative të besueshme qeverisëse, mbetet një pyetje e hapur. Në çdo rast, edhe nëse nuk çojnë menjëherë në lindjen e një force të re politike, ka shumë gjasa që të ndryshojnë thellësisht mënyrën se si ushtrohet politika në Shqipëri.

Këto mobilizime tashmë funksionojnë si një proces socializimi politik për mijëra njerëz, veçanërisht për të rinjtë që marrin pjesë aktivisht në to. Ato formësojnë perceptime të reja mbi marrëdhënien mes qytetarit dhe shtetit, mbi rëndësinë e veprimit kolektiv, pjesëmarrjes në jetën publike dhe mbrojtjes së mjedisit si një çështje politike dhe jo thjesht teknike. Në këtë kuptim, edhe nëse rezultati i tyre i menjëhershëm politik mbetet i pasigurt, ka shumë gjasa që ato të lënë pas një kulturë të re politike, e cila do të vazhdojë të ndikojë në shoqërinë shqiptare edhe shumë kohë pas përfundimit të protestave të sotme.

Ndoshta, në fund të fundit, trashëgimia më e rëndësishme e “Revolucionit të Flamingove” nuk do të jetë përpjekja për rrëzimin e qeverisë Rama apo dorëheqja e Berishës nga drejtimi i partisë më të madhe opozitare, por formimi i një brezi të ri qytetarësh me pritshmëri të ndryshme ndaj demokracisë, shtetit dhe veprimit kolektiv. Dhe, siç ndodh shpesh në histori, këto ndryshime rezultojnë më jetëgjata sesa vetë qeveritë.

Cilido qoftë rezultati i menjëhershëm i protestave, rëndësia e tyre tashmë e tejkalon Shqipërinë. Në të gjithë Mesdheun, nga Spanja deri në Greqi dhe Kroaci, po zhvillohen konflikte rreth turizimit masiv, komercializimit të tokës, degradimit të mjedisit dhe tkurrjes së hapësirës publike përballë interesave të mëdha investuese. Në këtë kuptim, shqiptarët dhe shqiptaret nuk po ndjekin thjesht një rrugë evropiane, por ndodhen në vijën e parë – ndoshta edhe në pararojë – të një konflikti që tashmë prek të gjithë Evropën.

Prandaj, ndoshta mesazhi më i rëndësishëm politik i “Revolucionit të Flamingove” është se integrimi evropian nuk mund të identifikohet vetëm me tërheqjen e investimeve dhe rritjen ekonomike. Protestuesit kërkojnë një Evropë ndryshe: një Evropë të shtetit të së drejtës, pjesëmarrjes demokratike, mbrojtjes së mjedisit dhe përgjegjshmërisë sociale.

Pas rënies së socializmit real, shoqëritë e Evropës Lindore u trajtuan nga njerëz, institucione dhe aktorë të Perëndimit kryesisht si nxënës të Historisë dhe shumë rrallë – në mos kurrë – si bartës të përvojës dhe dijes politike, prej së cilës pjesa tjetër e kontinentit mund të mësonte. Për një pjesë të madhe të së majtës perëndimore, përvoja jonë mbeti në periferi, kur nuk u ekzotizua, ndërsa për të djathtën, e vetmja narrativë e pranueshme ishte ajo e lidhjes së pakushtëzuar me Perëndimin, adhurimit të standardeve të konsumit që ofronte tregu i lirë dhe armiqësisë ndaj komunizmit.

Qytetarët e revoltuar të Shqipërisë e refuzojnë pikërisht këtë dikotomi. Ata nuk kërkojnë të kthehen në të kaluarën, por as nuk pranojnë që integrimi evropian të identifikohet me zhvillimin oligarkik, komercializimin e natyrës dhe dobësimin e llogaridhënies demokratike. Ata kërkojnë të drejtën ta përcaktojnë vetë se çfarë do të thotë një Shqipëri evropiane dhe, njëkohësisht, të kontribuojnë në ripërcaktimin e vetë projektit evropian. Ndoshta, për herë të parë pas vitit 1991, Shqipërisë nuk i duhet më ta “arrijë” Evropën, por mund t’i tregojë asaj një rrugë tjetër. Me një fjali, shqiptarët dhe shqiptaret kërkojnë vendin e tyre në podiumin e atyre që kanë shtyrë përpara karrocën e Historisë.

Çfarë është “Revolucioni i Flamingove” sipas politikanëve dhe forcave politike greke?

Në sa më sipër, me synimin për të paraqitur këndvështrimin tim mbi ngjarjet dhe për të nxjerrë në pah rëndësinë shoqërore dhe politike të kësaj lëvizjeje, duke e vendosur atë në kontekstin e saj më të gjerë historik, shmanga referimin ndaj ngjarjeve konkrete dhe i lejova vetes lirinë që ofron analiza abstrakte. Me fjalë të tjera, deri në këtë pikë u përpoqa t’i shoh mobilizimet nga këndvështrimi i vetë shoqërisë shqiptare. Megjithatë, ia vlen të ndalemi edhe te mënyra se si këto zhvillime u interpretuan në Greqi.

Ngjarjet e mësipërme pritej të merrnin rëndësi të veçantë për Greqinë, si për shkak të plagosjes së një shtetasi grek gjatë protestave dhe ekzistencës së minoritetit grek në jug të Shqipërisë, ashtu edhe për shkak të pranisë së komunitetit të madh shqiptar në Greqi – shumë prej anëtarëve të të cilit tashmë janë shtetas grekë. Në praktikë, për forcat politike greke vetëm dy dimensionet e para ishin të dukshme. Dimensioni i tretë mbeti i padukshëm, pavarësisht protestave javore të komunitetit shqiptar në Athinë dhe qytete të tjera.

Që në ditët e para të mobilizimeve, politikanë dhe parti greke morën qëndrim për çështjen. Fillimisht reagoi Ministria e Jashtme e Greqisë, e cila dënoi incidentin e dhunës ndaj shtetasit grek dhe u bëri thirrje autoriteteve shqiptare të garantojnë respektimin e shtetit të së drejtës dhe të drejtave pronësore të minoritetit grek. Më pas pasuan deklarata nga figura të ndryshme politike, si Aleksis Tsipras, ELAS, Jorgos Maniatis, Dimitris Mantzos në emër të PASOK-ut, Fredi Beleri, Afroditi Latinopoulou dhe Jorgos Gerapetritis.

Pavarësisht dallimeve të tyre ideologjike, shumica e ndërhyrjeve konverguan në një interpretim të përbashkët të ngjarjeve, duke vënë theksin kryesisht te të drejtat pronësore të minoritetit grek dhe duke i trajtuar zhvillimet para së gjithash si çështje të të drejtave të minoriteteve. Problemi nuk është se ky dimension nuk ekziston. Problemi është se ai u shndërrua pothuajse në të vetmin prizëm përmes të cilit u interpretuan zhvillimet, duke lënë në hije faktin se bëhej fjalë kryesisht për një krizë të thellë sociale dhe politike brenda vetë Shqipërisë. Si pasojë, u krijua një lexim i mangët i ngjarjeve dhe u riprodhua një qasje njëdimensionale ndaj marrëdhënieve greko-shqiptare.

Si përbërja e protestave, ashtu edhe raportet e organizatave ndërkombëtare tregojnë qartë dhe pa asnjë dyshim se mobilizimet u ushqyen nga probleme më të gjera që lidhen me regjimin e pronësisë në Shqipëri, funksionimin e institucioneve dhe modelin zhvillimor të vendit. Lidhur me pretendimet për shkeljen e të drejtave të minoritetit grek, mund të përmendet raporti i Këshillit të Evropës i vitit 2023, ku theksohet se problemet që lidhen me të drejtat pronësore në zonat ku jeton minoriteti grek janë pjesë e një problemi më të përgjithshëm që prek të gjithë popullsinë e Shqipërisë. Njëkohësisht, raportet e Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitet 2022, 2023 dhe 2024 nuk evidentojnë raste diskriminimi ndaj minoritetit grek.

Nëse këto konstatime janë të sakta, atëherë kemi përballë probleme të ndërlidhura që kërkojnë përgjigje interpretuese. Pse sistemi politik grek i trajtoi zhvillimet protestuese në Shqipëri përmes prizmit të antagonizmave kombëtare? Pse i reduktoi ato në çështje të shkeljes së të drejtave të minoritetit, kur një gjë e tillë nuk provohet? Pse vendosi të fliste vetëm për të drejtat pronësore të minoritetit grek, ndërsa injoroi plotësisht komunitetin shqiptar në Greqi, i cili është i madh në numër, protestoi gjatë gjithë kësaj periudhe, shumë prej anëtarëve të tij janë qytetarë grekë dhe përballen me probleme të ngjashme lidhur me të drejtat e tyre pronësore në territorin shqiptar?

Gjëja e parë që vlen të vihet re është se mënyra dominuese greke e interpretimit të Shqipërisë vazhdon të mbështetet në skema të formuara gjatë Luftës së Ftohtë dhe viteve ’90. Për dekada, Shqipëria trajtohej si një vend-kërcënim ose, në rastin më të mirë, si një “problem” që duhej menaxhuar. Nuk është rastësi që gjendja e luftës e shpallur nga Greqia ndaj Shqipërisë në vitin 1940 u shfuqizua vetëm në vitin 1987, ndërsa debati publik i dekadave pasuese u përqendrua pothuajse ekskluzivisht te çështje si minoriteti grek – “Vorio Epiri” – apo emigracioni i parregullt.

Si rezultat, edhe sot një pjesë e madhe e diskursit politik dhe publik grek vazhdon ta interpretojë Shqipërinë kryesisht përmes prizmit të mosmarrëveshjeve dypalëshe dhe rivaliteteve kombëtare, duke mos arritur të shohë ndryshimet e thella shoqërore dhe politike që po ndodhin brenda shoqërisë shqiptare, si edhe ndërveprimet e reja mes dy popujve.

Dimensioni i dytë i rëndësishëm lidhet me mënyrën se si funksionon vetë sistemi politik grek. Çështja e minoritetit grek në Shqipëri është shndërruar në një fushë rivaliteti mes partive politike, ku secila përpiqet të dëshmojë “besueshmërinë e saj patriotike”. Në këtë kuadër, nxjerrja në pah e të drejtave të minoritetit si dimensioni kryesor i zhvillimeve të fundit përbën një zgjedhje pothuajse të vetëkuptueshme politike, pavarësisht pozicionimit ideologjik. Nuk është rastësi që politikanë me prejardhje shumë të ndryshme ideologjike përfunduan në deklarata publike pothuajse identike. Problemi nuk është mbrojtja e të drejtave të minoritetit grek si e tillë. Problemi është se ky dimension monopolizoi pothuajse tërësisht debatin grek, duke përjashtuar çdo interpretim tjetër të ngjarjeve.

Një këndvështrim i tretë, që ia vlen të theksohet, ka karakterin e një shpjegimi më të thellë ideologjik. Nuk përjashtohet mundësia që minoriteti grek në Shqipëri të përbëjë sot një nga fushat e fundit përmes të cilave nacionalizmi zyrtar grek vazhdon të riprodhojë narrativat që formësuan identitetin e tij politik gjatë shekullit XX: narrativat për “atdhetë e pashpëtuara”, të drejtat kombëtare dhe një botë të organizuar rreth rivaliteteve midis shteteve-komb, të imagjinuara si shoqëri tërësisht homogjene.

Megjithatë, realiteti shoqëror i shekullit XXI largohet gjithnjë e më shumë nga ky model. Shoqëritë tona janë shumëdimensionale, të ndërlidhura dhe ndërkulturore. Në Greqi jetojnë sot qindra mijëra qytetarë me origjinë shqiptare, ndërsa në Shqipëri minoriteti grek është pjesë përbërëse e një shoqërie më të gjerë që përballet me sfida të përbashkëta me pjesën tjetër të popullsisë.

Prandaj, në vend që të kërkojmë vazhdimisht konfirmimin e narrativave të vjetra kombëtare, ndoshta ka ardhur koha të rishqyrtojmë vetë konceptin e kombit – këtë herë jo si një mjet përjashtimi dhe shërbimi ndaj fantazive apo interesave imperialiste, por si një bashkësi demokratike politike e aftë të përfshijë përbërjet reale shoqërore të kohës sonë. Një vetëpërcaktim kombëtar me më shumë vetëreflektim dhe vetëbesim nuk ka nevojë të riprodhojë antagonizmat e shekullit të kaluar, sepse mund të ndërtojë marrëdhënie bashkëpunimi, solidariteti dhe veprimi të përbashkët politik mes komuniteteve që ndërthuren dhe afrohen gjithnjë e më shumë.

Pika e katërt dhe e fundit, ndoshta me pasojat më serioze politike, është se prej vitesh ndryshimi më i madh në marrëdhëniet greko-shqiptare nuk po ndodh në Himarë, Dhërmi apo Dropull, por në Athinë, Selanik, Kretë e gjetkë. Sado që forcat politike greke nuk duan ta pranojnë, transformimi i marrëdhënieve greko-shqiptare nuk po zhvillohet përmes referencës ndaj minoritetit grek në jug të Shqipërisë, por në vetë territorin grek, përmes pranisë së qindra mijëra njerëzve me identitete kulturore dhe vetëpërcaktime që lidhen njëkohësisht me të dy vendet, me lidhje ekzistenciale me Shqipërinë dhe Greqinë.

Qindra mijëra njerëz me origjinë shqiptare jetojnë tashmë në mënyrë të përhershme në Greqi. Një pjesë e madhe kanë marrë shtetësinë greke, marrin pjesë në jetën ekonomike, shoqërore, artistike, akademike dhe politike të vendit dhe përbëjnë një brez të ri qytetarësh me referenca të dyfishta kulturore dhe identitete hibride. Protestat e tyre javore treguan se zhvillimet në Shqipëri nuk janë thjesht çështje e politikës së jashtme, por edhe çështje e vetë shoqërisë greke. Megjithatë, pothuajse asnjë forcë politike nuk u përpoq të dialogonte me ta apo ta përfshinte këtë realitet të ri në analizën e saj politike.

Një qasje e re ndaj marrëdhënieve greko-shqiptare

Në përfundim, do të doja të theksoja se “Revolucioni i Flamingove” mund të shërbejë si nxitje për një rishikim më të gjerë të mënyrës se si i perceptojmë marrëdhëniet greko-shqiptare. Në vend që ato të trajtohen ekskluzivisht si një fushë rivalitetesh kombëtare dhe mosmarrëveshjesh dypalëshe, ato mund të shihen si një hapësirë bashkëpunimi shoqëror, solidariteti demokratik dhe përpjekjesh të përbashkëta politike.

Çështje si shteti i së drejtës, mbrojtja e mjedisit, transparenca, shfrytëzimi arbitrar i tokës apo përqendrimi oligarkik i fuqisë ekonomike – dhe, si rrjedhojë, kapja dhe kontrolli i pushtetit politik nga interesa ekonomike – nuk janë probleme vetëm shqiptare. Ato prekin të gjithë Evropën, në një periudhë historike ku po përmbyllen dhe po shfaqen qartë tendencat e modelit neoliberal dhe të kapitalizmit të globalizuar.

Prandaj, sfida më e madhe për politikën greke ndoshta nuk është të vendosë se çfarë qëndrimi do të mbajë ndaj Shqipërisë, por të pranojë se të dyja shoqëritë janë tashmë aq pranë njëra-tjetrës, sa mund të ndërtojnë përgjigje të përbashkëta ndaj sfidave të përbashkëta.

Ervin Kondakçiu është doktor i Shkencave Politike dhe Filozofisë në Universitetin e Groningenit dhe Universitetin e Hamburgut dhe punon në fushën e komunikimit politik.

 

Latest news

Related news