19.3 C
Athens
E martë, 22 Shtator, 2026

Kujdes! Çfarë po ndodh me lejet e qëndrimit në Greqi?

Albania TV, një media serioze dhe profesionale, e angazhuar për informimin e saktë dhe të paanshëm të bashkëatdhetarëve tanë në Greqi, vijon të ndjekë nga afër çdo ndryshim që lidhet me legjislacionin e emigracionit. Duke u bazuar në ndryshimet më të fundit ligjore, qarkoret e Ministrisë së Emigracionit dhe Azilit, si dhe vendimet e fundit administrative, dëshirojmë të tërheqim vëmendjen e të gjithë emigrantëve shqiptarë që janë në proces pajisjeje me leje qëndrimi ose rinovimi të saj.

Pse duhet të bëni kujdes?

Sepse tashmë pothuajse çdo procedurë zhvillohet online. Çdo njoftim për plotësim dokumentacioni, sqarime apo kërkesa shtesë dërgohet vetëm në adresën e e-mailit të deklaruar në platformën elektronike të Ministrisë së Emigracionit dhe Azilit.

Kjo do të thotë se personi, zyra, kontabilisti apo avokati që ka kryer aplikimin duhet të kontrollojë vazhdimisht postën elektronike dhe të veprojë brenda afateve ligjore.

Çfarë ndodh nëse nuk respektohen afatet?

Sipas procedurave në fuqi, nëse dokumentet e kërkuara nuk dorëzohen brenda afatit prej dy muajsh nga dita e njoftimit, shërbimi kompetent mund të refuzojë kërkesën për leje qëndrimi.

Në një rast të tillë, qytetarit i mbetet vetëm rruga e ankimit në gjykatë ose, në shumë raste, humbja e lejes së qëndrimit, me pasoja që mund të jenë tepër serioze për statusin e tij në Greqi.

Thirrje për kujdes

Stafi i Albania TV u bën thirrje të gjithë bashkëatdhetarëve të tregojnë kujdes maksimal. Kontaktoni rregullisht personin ose zyrën që ka marrë përsipër aplikimin apo rinovimin e lejes suaj të qëndrimit dhe sigurohuni që çdo njoftim i Ministrisë të trajtohet në kohë.

Mos e lini procesin në harresë. Një e-mail i pakontrolluar mund t’ju kushtojë statusin tuaj të qëndrimit në Greqi.

Për më shumë informacion ose nëse keni shqetësime lidhur me procedurat e lejeve të qëndrimit, mos hezitoni të kontaktoni Albania TV dhe të na dërgoni pyetjet tuaja. Ne do të vazhdojmë t’ju informojmë me përgjegjësi për çdo zhvillim të rëndësishëm.

Latest news

Related news