Kryeministri Edi Rama zhvilloi këtë të martë një vizitë në Vlorë, ku në Bazën Detare të Pashalimanit u firmos marrëveshja për nisjen e prodhimit të anijeve luftarake në Shqipëri.
Marrëveshja u nënshkrua mes shoqërisë shqiptare KAYO sh.a. dhe gjigantit italian të industrisë detare Fincantieri, duke hapur rrugën për prodhimin e mjeteve lundruese ushtarake fillimisht për nevojat e Forcave të Armatosura Shqiptare dhe më pas për eksport në tregjet ndërkombëtare.
Sipas projektit, baza e Pashalimanit do të transformohet nga një bazë tradicionale ushtarake në një qendër moderne të ndërtimit të anijeve luftarake, me investime të rëndësishme në infrastrukturë. Punimet për transformimin e plotë të bazës pritet të nisin në muajin shtator.
Qeveria e konsideron këtë projekt një hap strategjik, që synon ta pozicionojë Shqipërinë si një qendër rajonale për prodhimin e mjeteve detare ushtarake dhe zhvillimin e industrisë së mbrojtjes.












