Një zhvillim i rëndësishëm ekonomik shënon një kapitull të ri në marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Për herë të parë që nga rënia e komunizmit, një grup i madh biznesi shqiptar realizon një investim të rëndësishëm në Greqi, duke blerë një resort turistik në ishullin e Korfuzit.
Bëhet fjalë për Concord Group, një nga konglomeratet më të mëdha në Shqipëri, i cili ka blerë hotelin St. Georges Bay Country Club & Spa në zonën e Acharavit. Edhe pse vlera e transaksionit nuk është bërë publike, investimi konsiderohet historik, pasi është blerja e parë e një kompleksi turistik grek nga një kompani shqiptare.
Sipas planit të investitorëve, resorti do të rinovohet plotësisht dhe do të zgjerohet nga 86 në 140 dhoma, ndërsa në vitin 2027 do të funksionojë si hotel me pesë yje nën markën prestigjioze The Meliá Collection Corfu, në bashkëpunim me grupin spanjoll Meliá Hotels International.
Concord Group është në pronësi të vëllezërve Artan, Adrian dhe Genci Dulaku dhe konsiderohet një nga grupet më të fuqishme ekonomike në Shqipëri, me aktivitete në turizëm, ndërtim, media, qendra tregtare, supermarkete dhe industrinë automobilistike.
Ky investim shihet si një sinjal i ri për fuqizimin e kapitalit shqiptar në rajon. Dikur, ideja e një investitori shqiptar në Greqi konsiderohej e pamundur, ndërsa sot bizneset shqiptare po zgjerojnë aktivitetin edhe përtej kufijve, duke investuar në tregje europiane.












