Peshku toksik “fugu” po kthehet në një kërcënim serioz për peshkatarët grekë, ndaj autoritetet po shqyrtojnë një skemë të re për të paguar peshkatarët që ta kapin dhe largojnë nga ujërat greke.
Greqia shpall luftë peshkut toksik! Peshkatarët do të paguhen për kapjen e “pushtuesit” të deteve
Qeveria greke po kërkon miratimin e Komisionit Europian për një program të posaçëm që synon reduktimin e numrit të peshqve toksikë “pufferfish” (fugu), një specie pushtuese që po shkakton dëme të mëdha në sektorin e peshkimit.
Ministria e Zhvillimit Rural dhe Ushqimit ka hartuar një plan që parashikon kompensimin financiar të peshkatarëve profesionistë për çdo sasi të kapur të kësaj specieje. Sipas autoriteteve, peshku toksik shkatërron rrjetat, linjat e peshkimit dhe pajisje të tjera të kushtueshme, duke sjellë humbje të konsiderueshme ekonomike.
Nisma bazohet në modelin e zbatuar më parë në Qipro, ku peshkatarët kanë arritur të largojnë rreth 103 tonë peshq toksikë nga ujërat e ishullit.
Specia pushtuese konsiderohet veçanërisht agresive dhe ushqehet me peshq, karkaleca, gaforre, oktapodë dhe organizma të tjerë detarë, duke rrezikuar ekosistemin vendas dhe biodiversitetin e Mesdheut.
Nëse plani miratohet nga Brukseli, peshkatarët grekë pritet të përfitojnë mbështetje ekonomike, ndërsa autoritetet shpresojnë të kufizojnë përhapjen e një prej specieve më problematike të viteve të fundit në detet greke.












